Broja në lëvizje, sheikët e Premier Ligës duan “bomberin” shqiptar

Me siguri që duhet të jetë tepër i lodhur nga e gjitha kjo. Armando Broja mbetet në ajër, ndërsa sa më shumë afron janari, aq më shumë shtohen zhurmat në tregun e futbollit.

Historia e fundit është për interesimin e Newcastle për shërbimet e sulmuesit “kuqezi”, me trajnerin Eddie Howe që kuptoi se nuk mund të përballojë sezonin vetëm me dy lojtarë ofensivë si Isak e Wilson.

Chelsea do të kërkonte deri në 30 milionë euro për kartonin e 22-vjeçarit, ndërsa trajneri Pochettino e ka bërë të qartë se nuk mund ta lejojë largimin e tij pa një përforcim të rëndësishëm.

Nëse Viktor Osimhen, ose ndonjë tjetër sulmues i shquar, do të vinte në “Stamford Bridge”, atëherë Broja padyshim që do të vendoste të largohej, pasi konkurrenca do të ishte e papërballueshme me pretendentët e tjerë si Jackson e Nkunku.

Sidoqoftë, a do të ishte Newcastle ekipi i duhur për të?

Jo edhe aq, pasi nëse Isak e Wilson janë në formë, shqiptari do të mbetej në stol. Pritet që Broja të zgjedhë, ndërsa West Ham është interesuar gjithashtu për të. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e ka treguar se nëse luan rregullisht, siç ndodhi te Southampton gjithnjë në Premier League, ai mund të jetë një “yll” i vërtetë i kampionatit anglez. /abcnews.al


Shtuar 26.12.2023 09:56