Andrea Cambiaso po del në pah si një nga mbrojtësit e krahut më të kërkuar në këtë merkato, sidomos pas transferimit të Marc Cucurellas te Real Madridi.
Lëvizja e spanjollit ka sjellë zhvillime të rëndësishme në tregun e futbollistëve që luajnë në këtë rol, ndërsa lojtari i Juventusit ka hyrë në radarët e disa prej klubeve më të mëdha të Evropës.
Të lidhura
None found
Siç raporton SportItalia, gjatë javëve të fundit përfaqësuesi italian ka pasur interes konkret nga Atletico Madridi dhe Chelsea, me të dyja klubet që kanë kërkuar detaje mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Nga ana e saj, Juventusi nuk e përjashton shitjen e lojtarit, por drejtuesit e bardhezinjve pranojnë të ulen në bisedime vetëm nëse vjen një ofertë që i përgjigjet kërkesave të tyre ekonomike.
Gjithsesi, Cambiaso duket se e ka të qartë preferencën e tij. Mbrojtësi 26-vjeçar e konsideron Barcelonën si alternativën më joshëse për të ardhmen dhe është i gatshëm të presë lëvizjen e klubit katalanas para se të vendosë përfundimisht.
Barcelona e ndjek prej kohësh italianin dhe vlerëson te ai aftësinë për të luajtur në të dy anët e mbrojtjes, një cilësi që e rrit ndjeshëm vlerën e tij për çdo trajner.
Megjithatë, në këtë moment, krahu i majtë i mbrojtjes nuk shihet si prioritet absolut nga drejtuesit katalanas. Klubi është i përqendruar te disa operacione të tjera të afatit kalimtar, ndërsa po analizon edhe mundësinë e rikthimit të Joao Cancelos, i cili mund të aktivizohet si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë të repartit defensiv.
Aktualisht, Cambiaso po pret, teksa interesimi nga klubet e mëdha vijon të shtohet. Vendimi final mund të përcaktohet nga hapat që Barcelona do të hedhë në javët e ardhshme për prapavijën.
