Arrihet marrëveshja, Brahim Diaz mbetet “kuqezi”

Milanit po i plotësohet dëshira: Brahim Diaz do ta mbajë veshur fanellën kuqezi edhe sezonin e ardhshëm. Marrëveshja me Realin e Madridit për qëndrimin e spanjollit në Milano, është drejt zyrtarizimit. Bëhet fjalë sërish për huazim me të drejtë blerjeje për 22 milionë euro, ndërsa Reali do të ketë të drejtën të riblejë për 27 milionë brenda një viti.

Kjo është një marrëveshje e shumëdëshiruar nga Milani, ashtu siç ishte ajo e pak kohe më parë, për blerjen përfundimtare të Fikayo Tomorit nga Chelsea. Pra një hap tjetër i rëndësishëm për ndërtimin e një skuadre që do të duhet të përballojë edhe sfidat në Champions sezonin e ardhshëm.

Brahim Diaz nuk e ka fshehur në asnjë moment dëshirën për të qëndruar në Milano, por në të njëjtën kohë, ish-xhevahiri i Manchester City-t po priste një sinjal nga Reali i Madridit, për të kuptuar nëse do të kishte mundësinë për të qenë protagonist në LaLiga.

As lamtumira e Zinedine Zidane dhe kthimi në stolin e skuadrës “merengues” i Carlo Ancelotti nuk e ndryshoi qëndrimin e klubit madrilen ndaj tij. Milani vazhdoi të punonte për të arritur një marrëveshje me Realin dhe ajo u gjet. Tani pritet vetëm zyrtarizimi.

Sezoni i parë i Brahim Diazit në Milano, ishte më shumë se pozitiv. Spanjolli luajti 27 herë në Serinë A dhe shënoi katër gola.


Shtuar 30.06.2021 17:37