Ndërsa për socialistët çështja e pagave të magjistratëve konsiderohet tashmë e përfunduar, të hënën do të rikthehet në diskutim një tjetër kapitull.
Sipas informacioneve të Top Channel, Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, do të nisë shqyrtimin e ndarjes së re administrative-territoriale, duke marrë si bazë variantin e paraqitur nga socialistët.
Të lidhura
None found
Propozimi i mazhorancës u dorëzua në Kuvend më 31 korrik, për t’u lënë kohë konsultimeve me njësitë e pushtetit vendor. Gjatë javëve të fundit, edhe Edi Rama zhvilloi takime me qytetarët në kuadër të këtij procesi.
Kalimi i nismës nga komisioni parlamentar në seancë pritet të zgjasë afro tre javë kalendarike. Votimi është planifikuar për të enjten e 8 tetorit, kur socialistët do të përballen sërish me një provë për unitetin e grupit të tyre.
Miratimi kërkon të paktën 84 vota, ndërsa ulja e numrit të bashkive nga 61 në 46 ka shkaktuar pakënaqësi te jo pak socialistë.
Në 15 bashkitë që humbasin statusin e njësive të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe do t’u bashkohen bashkive fqinje, këshilltarët e majtë dhe të djathtë bashkuan votat në këshillat bashkiakë për ta penguar hartën e re, por përpjekja e tyre nuk pati sukses.
Kjo është hera e dytë që socialistët, gjatë qeverisjes së Edi Ramës, miratojnë një ndarje administrative-territoriale të vendit: e para u realizua në vitin 2014, ndërsa tjetra në 2026.
Elementi që nuk ka ndryshuar është mungesa e konsensusit, pasi opozita kërkon 100 njësi vendore, ndërsa socialistët propozojnë 46.
