Zjarr në magazinat e fabrikës së miellit në Laç, pronari: 40 milionë lekë dëme

Magazinat e fabrikës së miellit në Laç janë përfshirë nga zjarri rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, 2 tetor 2023.

Menjëherë janë lajmëruar zjarrfikësit dhe policia e Kurbinit të cilët kanë mbërritur në vendngjarje.

Me ndërhyrjen e zjarrfikësve është bërë e mundur të izolohet zjarri në disa pjesë të fabrikës së miellit, ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha mielli, misër dhe nënprodukte.

Pronari i fabrikës thotë se shkak i zjarrit dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike. Megjithatë objekti është i pajisur me kamera sigurie, çka mund të ndihmojë grupin hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit. Dëmi i shkaktuar sipas pronarit kap vlerën e 40 milionë lekëve.


Shtuar 3.10.2023 11:29