Policia e Lezhës ka arrestuar një-66 vjeçar pasi akuzohet për prodhim dhe shitje të minave me telekomandë.
Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “AMONEKS”, u bë arrestimi i shtetasit Q. A., 66 vjeç, banues në Arrëmollë, Lurë.
Ky shtetas prodhonte mina me telekomandë, siguronte municion të konsiderueshëm luftarak dhe armë zjarri, me qëllim shitjen e tyre në qarkun Lezhës, për llogari të personave apo grupeve që kryenin veprimtari kriminale.
Policia sekuestroi3 mina me telekomandë, 2 armë zjarri, 40 kallëpe tritoli, 45 kapsolla detonatore, 45 krehra me fishekë dhe rreth 2 200 fishekë luftarak. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër dhe Prokurorinë, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/Albeu.com.