‘Rroftë PS’, festë në selinë rozë për 33-vjetorin e themelimit! Klosi: Më të fortë se kurrë! Rama krah figurave të vjetra të partisë

E kthyer tashmë në një traditë, Partia Socialiste festoi 33-vjetorin e themelimit në një festë në selinë rozë. Mbështetës, deputetë, ministra, e deri tek figurat e vjetra të kësaj force politike u mblodhën bashkë në këtë 33-vjetor.

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ish-deputetja dhe ish-ministrja Alta Dade, Namik Dokle, e Et’hem Ruka u panë nën shoqërinë e kryesocialistit Edi Rama. Ky i fundit zgjodhi që të ishte fjalëpakë, ndërsa në mes të pranishmëve ‘fjalën’ e tij e përmblodhi me vetëm një frazë ‘Rroftë Partia Socialiste’.

I vetmi që mbajti një fjalim të shkurtër ishte sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i cili tha se sot PS është më e fortë se kurrë dhe gati për të fituar shumë gara elektorale.

“Mirëserdhët në festën e partisë së madhe, që ka dëshmuar, siç është sot një bashkim i themeluesve, por e shumë të rinjve që janë bashkuar ndër vite. Sot në këtë festë vijmë më të fortë se kurrë, me shumë arritje se ja kemi dalë të jemi pranë njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë. PS vjen e fortë, e përgatitur për të fituar shumë gara të ardhshme elektorale”, tha Klosi.

Një minutë heshtje u mbajt për ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u nda sot nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë.


Shtuar 12.06.2024 19:59

Tags: , , ,