Raporti i OKB për trafikun e drogës: Grupet shqiptare, lojtarë kryesorë në tregun e kokainës në Evropë

Prodhimi i kokainës ka arritur nivele rekord ndërsa janë shfaqur qendra të reja trafikimi theksohet ne raportin më të fundit të Kombeve të Bashkuara mbi Drogën dhe Krimin.

Në raport përmenden në mënyrë të vazhdueshme grupet kriminale shqiptare që sipas gjetjeve konsiderohen lojtarë të rëndësishëm në tregun global të kokainës. Sipas raportit, në dekadën e fundit, grupet shqipfolëse janë bërë lojtarët kryesorë në tregun e kokainës në Evropë, duke u mbështetur në një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në mesin e diasporës shqiptare jashtë vendit dhe shpesh duke punuar në bashkëpunim me grupet kriminale italiane.

Grupet shqipfolëse operojnë me shpërndarje në sasi të mëdha të kokainës në shumë pjesë të Evropës, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë duke krijuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnitorët në Amerikën Latine thuhet ne raportin e OKB-se.

“Ndërsa grupet shqiptare janë shumë aktive në dërgimin e kokainës nëpër Evropën Perëndimore, veçanërisht në portet e Belgjikës dhe Holandës, një sasi kokaine ka mbërritur edhe ne portin kryesor të Shqipërisë, atë të Durrësit”, thuhet në raport.

Tregjet më pak të eksploruara të kokainës në Evropën Lindore janë furnizuar kryesisht nga grupet kriminale shqiptare dhe serbe. Në veçanti grupet kriminale serbe kanë furnizuar për një kohë gjatë Ballkanin me kokainë nga Ekuadori thuhet në raport.

Siç është raportuar nga autoritetet shqiptare, është më pak e zakonshme se përpara zbulimi i kokainës brenda një kontejneri sepse droga ka më shumë gjasa të fshihet brenda kutive me banane. Autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri kanë raportuar se për të trafikuar kokainën, grupet kriminale e fshehin lëndën narkotike edhe në automjetet me tonazh të rëndë përmes trageteve që vijnë nga Italia thuhet në raportin më të fundit të OKB për drogën dhe krimin. Sipas gjetjeve, grupet kriminale shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm në tregtine e kokainës në Irlandë, ndonëse ky treg vazhdon të kontrollohet nga grupet kriminale irlandeze.


Shtuar 16.03.2023 11:05