Noka reagon pas propozimit të Ramës për kreun e SHISH: Kosova e shkarkoi për lidhje serbe

Kryeministri i vendit, Edi Rama i propozi Presidentit të vendit ditën e sotme emrin për kreun e ri të SHISH. Bëhet fjalë për Vlora Hysenin.

Deputeti demokrat Flamur Noka ka reaguar pas propozimit të emrit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Noka tha se se Vlora Hyseni, e cila më parë ishte pjesë e Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës (AKI), u shkarkua nga detyra për dyshime për lidhjen e tij me serbët.

Sipas tij, kaq ka mjaftuar që Rama të konsideronte që emri i i saj të plotësonte kriterin numër 1.

Postimi i plotë:

Kosova e shkarkon për lidhje serbe, Rama e propozon në krye të SHISH.

Rama propozon në krye të SHISH bashkëkombasen Vlora Hyseni, por kjo e fundit është shkarkuar në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) i Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku thuhet shprehimisht se: “Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar.”
Vlora Hyseni dyshohej për lidhje serbe dhe mesa duket kaq i ka mjaftuar Ramës për të plotësuar kriterin nr.1 të tij.

Kush është Vlora Hyseni

Më herët Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ku qëndroi në detyrë për 4 muaj.

Ajo u shkarkua nga Albin Kurti e më tej me firmën e Vjosa Osmanit në 30 qershor 2021, duke sjellë edhe debate politike në Prishtinë.

“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në komunikatë.

Nuk bëhen të ditura më shumë arsye të shkarkimit të zyrtares së lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar” thuhej në njoftimin për media nga zyra e Kurtit asokohe.

Pas kësaj Hyseni ka shërbyer si këshilltare pranë kryeministrit të Shqipërisë.

Prej disa muajsh SHISH funksionon pa një drejtues.

Helidon Bendo në dhjetor të vitit të shkuar paraqiti zyrtarisht dorëheqjen pranë Presidentit, ndërsa në detyrë u komandua Oljan Kanushi.

Ky i fundit u emërua në detyrën e zëvendësdrejtorit pranë Shërbimit Informativ Shtetëror në muajin gusht të vitit 2022.

/Albeu.com/


Shtuar 17.03.2023 22:28