Aktori i humorit Gentian Zenelaj ka rikthyer në vemendje çështjen e patronazhistëve, duke përmendur me emër dikë, që sipas tij, e ka ndjekur atë aq në detaje duke bërë një përshkrim se cilat janë bindjet partiake të tij. Bëhet fjalë për patronazhisten e cila quhet Elona, e cila duket se e ka ndjekur hap pas hapi aktorin, për të bërë raportimin. Ai tha madje me ironi se edhe bashkëshortja e tij nuk do të ishte aq e aftë sa për të bërë një rezyme të tillë.
“Unë kam patronazhisten time me emrin Elona që nuk po e gjej dot kush është. Nëse na sheh, do kisha dëshirë ta takoja dhe komplimentoja sepse realisht kishte bërë një përshkrim timin, ishte i jashtëzakonshëm. Edhe po të pyesje bashkëshorten time që bëj një përshkrim politik Gentit, nuk do e bënte aq mirë.
Elona shkruante “me bindje të majta, i zhgënjyer nga e majta voton gjithmonë ndryshimin. Pra ajo është një njeri që më ka parë intervistat, ka ndjekur statuset e mia. Ky njeri të krijonte idenë se ishte gjithmonë rreth teje dhe po të ndjek”, tha më tej aktori i mirënjohur i skenës shqiptare në emisionin Bilardo.
Gentian Zenelaj ka folur “pa doreza” nëse ka marrë ndonjë telefonatë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që ti bashkohej fushatës së tij. Ai vendosi pikat mbi “i”, ku theksoi se diçka e tillë nuk ndodh, duke marrë shkas edhe nga historia e Teatrit Kombëtarë.
“Nuk ndodh kjo, unë nuk gëzoj ndonjë simpati për të, e gjitha lidhet dhe me Teatrin Kombëtar, u bënë tre vite dhe aty nuk është vënë asnjë tullë dhe më vjen keq se të ndërtosh një Teatër duhen 10-15 vjet dhe një aktor që sot është 30 vjeç digjet dhe nuk luan më. Tre herë rresht jam larguar nga një lagje për shkak të rrugës, dhe kam vendosur që kjo të jetë hera e fundit dhe nuk largohem më, sepse që nga viti ’92 kam parë disa eksode dhe vendosa të mos iki më”.