Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët në prag të Kurban Bajramit.
Spahiu, në mesazhin e tij, shprehet se Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë.
Mesazhi i plotë:
Urimi i kryetarit të Komunitetit Mysliman për Kurban Bajram
Të dashur besimtar myslimanë dhe shqiptarë kudo që ndodheni
Nesër në Shqipëri dhe mbarë botën myslimanët kremtojnë festën e Kurban Bajramit.
Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë. Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Është pjesë e gjithë shoqërisë. Ata që kanë mundësi presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë, e kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi. Të gjithë e ndiejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste. Kjo festë, që u bë simbol i sakrificës dhe durimit, është sakrifica që bëri profeti Ibrahim (a.s.) dhe durimi që tregoi profeti Ismail (a.s.), të dyja në emër të dashurisë për Zotin dhe bindjes ndaj madhështisë së Tij. Zoti e do njeriun dhe e ka cilësuar si krijesën e tij të arrirë, e qëllimi nuk ishte flijimi, por sprova, e cila ndodhi për të na shërbyer edhe ne si shembull reflektimi e devocioni. Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na mundësojë ta kalojmë sa më mirë këtë festë. I lutem Zotit që t’u pranojë haxhin mbi 800 haxhinjve shqiptar të cilët sot ndodhen në haxh, e pikërisht në Malin Arafat, vendin e shenjtë për myslimanët.
I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më!
T’u japë shërim dhe t’u lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri!
Për më të varfërit dhe nevojtarët shoqërisë tonë, O Zot lehtësojua shqetësimet që sjell varfëria.
O Zot bëje rininë tonë të hajrit dhe të qëndrueshme në anën e së mirës.
I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë.
Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Kurban Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë!
Shëndet e mirësi për çdo familje shqiptare!
Gëzuar!