Kumbulla gati, drejt Anglisë për të luajtur në një nga tempujt e futbollit

Marash Kumbulla mund të ketë mundësinë që këtë të enjte të shkelë në fushën e lojës në një nga tempujt e futbollit botëror. Djaloshi shqiptar i cili vetëm një sezon më parë debutoi në futbollin profesionist, tashmë ka mundësinë që të luajë në gjysmëfinalen e një prej turneve më të rëndësishëm kontinental, ndaj një skuadre legjendare.

Kumbulla ka lënë pas dëmtimin që kishte pësuar dhe këtë fundjavë ishte në pankinë ndaj Kaljarit. Ndaj ai do të jetë i gatshëm që të luajë që nesër në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Europës, ku Roma e tij luan ndaj Mançester Junajtid. Trajneri Fonseka e ka përfshirë Kumbullën në listën e lojtarëve për këtë sfidë, me futbollistin që ka udhëtuar drejt Mançesterit ku nesër skuadra luan në legjendarin “Old Trafford”.

Sipas mediave italiane, mbrojtësi shqiptar nuk mendohet se do të nisë ndeshjen nga fillimi, por mund të aktivizohet në pjesën e dytë të takimit, sidomos nëse Roma do të jetë në mbrojtje të një rezultati të favorshëm për të tentuar kualifikimin në sfidën e kthimit në shtëpi.

Shtuar 28.04.2021 11:04