Oficerët këqyrën telefonin e shtetasit Flamur Rrushi, i cili kallëzoi se një numër në viber, që identifikohej si ministri i Brendshëm Taulant Balla, e mashtroi.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, u zbulua se posedues i kësaj llogarie është shtetasi Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.
Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti. “Mbajta shënim targat e taksisit”, tha biznesmeni në polici.
Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksisitin, i cili deklaroi “isha taksist , erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.
Por kjo nuk është hera e parë që Florian Gjergji përdor këtë skemë për të mashtruar dhe zhvatur para.
Një vit më parë ai i shkruante përmes aplikacionit “Telegram” një biznesmeni, duke u prezantuar si kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha.
“Jam Ermal Dredha dhe më duhen 35 mijë euro”, shkruante ai, duke lënë edhe takim në një qendër tregtare.
Gazetarja Anila Hoxha raportonte një vit më parë se Florian Gjergji, që dyshohet se është organizatori i kësaj skeme mashtrimi i kishte thënë dy nga bashkëpunëtorëve të tij të shkonin në qendër tregtare, të takim biznesmenin dhe t’i thoshin “kemi ardhur të marrim pakon”.
Por ata nuk ishin në dijeni të faktit se “preja” e tyre kishte lajmëruar policinë. Me të mbërritur në qendrën tregtare, policia i kapi në flagrancë dhe i prangosi.
Të arrestuarit ishin Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata, ndërsa Gjergji ishte në arrati.
Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.
Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.
Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro.
Fillimisht 39-vjeçari Florian Gjergji i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi.
Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve.
Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes internetit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren.
Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani.
Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë.
Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir.
Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur.
Këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi./ Top Channel