Si “të fortët” e Fierit i fituan betejat me drejtësinë, duke rrëzuar akuzat për vrasje e për krime të tjera, shmangën kërkesat për ekstradim nga drejtësia italiane dhe kaluan në botën e biznesit, ku prej vitesh ushqehen me financat publike, duke përfituar tenderë prej miliona eurosh, në mungesë të konkurrencës.
Një shkrim nga INA media thotë se hetimi nga prokuroria i denoncimit publik të deputetit socialist në qarkun e Fierit, Petro Koçi, në korrik 2021 për kapje të fondeve publike në këtë qytet nga krimi, mund të ishte çelësi për të hapur “Kutinë e Pandorës” të burimeve financave të krimit të organizuar.
“Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi, që fitojnë tenderë publikë. Këtë e realizojnë nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh, nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar, që ekzekutojnë prokurimet, nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar, sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit, ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona”, – shkroi atëherë deputeti Koçi në llogarinë e tij në Facebook.
Të njëjtin qëndrim ai përsëriti edhe gjatë një interviste televizive. Ky përshkrim i veprimtarisë së krimit të organizuar në Fier nga deputeti Koçi, i ngjashëm me veprimtarinë e Camorra-s në Itali, u bë objekt i një referimi të Policisë Gjyqësore pranë SPAK, me të cilin u regjistrua kallëzim për korrupsion dhe për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë…”. Katër ditë pas regjistrimit të kallëzimit, pasi dëgjoi deklarimet e deputetit Koci, prokurori Edvin Kondili vendosi për mos-fillimin e procedimit penal, i datës 30 korrik 2021.
Koçi ka pohuar në SPAK se deklarimet e tij kanë qenë të përgjithshme dhe në përputhje me perceptimin e elektoratit. Sipas tij, ky vlerësim përforcohej edhe nga qëndrimi i zyrtarëve lokalë, që nuk i kishin mirëpritur deklarimet e tij. Kjo ishte vënë re nga reagimet e tyre, publike.
Prokurori Kondili ka argumentuar se Koçi nuk dispononte asnjë provë, informacion konkret, fakt apo dëshmitar dhe për rrjedhojë ka konkluduar se pretendimet e tij nuk përmbajnë elemente të veprave penale.
I pyetur nga INA Media, deputeti Petro Koçi tha se kishte folur me bindje të plotë. Pasi përsërit mbështetjen për SPAK, Zoti Koçi e konsideron jo shumë normale ftesën për të dhënë deklarime.
“Thirrja ime në SPAK mund të ishte evituar. Unë sugjerova që agjensitë ligjzbatuese në Fier duheshin thirrur për të dëshmuar fenomenet e denoncuara politikisht prej meje”, u shpeh ai.
Katër vite para Petro Koçit, në tetor 2017, kryetari i PD, Lulzim Basha, denoncoi pengmarrjen e një të riu në Fier. Ai postoi në profilin e tij në Facebook një mesazh anonim, që dërgohej nga një punonjës policie. Sipas denoncuesit, një 20-vjeçar ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng për tri ditë nga “Renato Çami” dhe policia nuk kishte ndërhyrë. Në postim thuhej se pengmarrësi ishte sponsori më i madh i PS në Fier. Policia e Fierit, tha se ngjarja ishte pasqyruar në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit. Sipas policisë më 3 tetor 2017, i ishin referuar Prokurorisë së Fierit materialet për veprën penale “Heqje e paligjshme të lirisë”, pasi po më atë datë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi F.L., 20 vjeç i rrahur nga disa persona dhe mbajtur peng për disa orë në një banesë.
Prokuroria e Fierit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, nëse ka kryer ndonjë veprim për këtë kallzim.
Nga akuzat për vrasje, te tenderët publikë
Personazhi i akuzuar nga Basha, 52 vjeçari Renato Sali, njihet në Fier si Renato Çami. Mgjithëse ka qendruar larg vëmendjes së publikut dhe emri i tij është lakuar rrallë në media, ai nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Dokumentet gjyqësore, që INA Media zotëron, tregojnë se ai
është marrë i pandehur nga Prokuroria e Fierit së bashku me Gramoz Yzeirin për vrasjen e Xheladin Qelisë, në vitin 1998. Gjykata e Fierit, më 8 nëntor 2010, ka shpallur fajtor vetëm Gramoz Yzeirin. Për Salin u shpreh se nuk kishte prova, pasi dëshmitarët kishin dhënë deklarime kontradiktore ndaj tij. Vendimi u la në fuqi edhe nga gjykatat më të larta.
Pyetjes së INA Media për SPAK në lidhje me procedime të mundshme, të regjistruara ndaj Renato Salit, kjo prokurori iu përgjigj se, në prill të vitit 2004, në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda është regjistruar procedimi penal nr. 131, për “Organizim dhe drejtimi i organizatave kriminale”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, në sasi të mëdha e në bashkëpunim dhe për “Falsifikim të dokumenteve”. Prokuroria e krimeve të rënda ka shpallur mos-kompetencën dhe ka dërguar aktet në Prokurorinë e Fierit.
Prokuroria e Fierit nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi kërkesës për informacion lidhur me ecurinë dhe statusin aktual të këtij procedimi.
Nga ana tjetër, kjo prokurori informoi se ndaj Renato Salit është regjistruar procedimi nr. 1783 i vitit 2019, pezulluar në vitin 2020. Në informacionin e dhënë nuk sqarohet vepra penale.
Po ashtu, Prokuroria e Fierit nuk ktheu përgjigje lidhur me ecurinë e hetimeve për disa çështje për të cilat Sali ka qenë i dyshuar, si dhe statusin aktual të tyre.
Renato Sali sot është një sipërmarrës, që ka fituar dhjetëra miliona euro nga tenderët publikë të bashkive dhe të Albpetrol-it. Në vitin 2014 ai ka blerë për 2.6 milionë lekë 50% të kuotave në shoqërinë AGA-1 sh. p. k., në Fier, me objekt të veprimtarisë tregtimin e karburanteve, sektorin e ndërtimit, import-eksport, etj. Shoqëria është regjistruar në 2005-ën më kapital fillestar 100 mijë lekë. Deri në vitin 2022, shoqëria zotëron kapital në vlerën 52.7 milionë lekë, nga 26 milionë e 350 mijë lekë secili prej ortakëve.
Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement Albania, shoqëria AGA-1, që prej vitit 2016 e deri para pak muajve, ka fituar 38 tenderë nga pushteti vendor. Nga Bashkia e Fierit ka fituar 23 tenderë dhe 15 të tjerë prej Bashkisë së Roskovecit, me vlerë mbi 790 milionë lekësh ose rreth 7.5 milionë euro. Pothuajse gjysma e tyre, 15 tenderë, janë me flamur të kuq për mungesë konkurrence. Bashkia e Fierit prej dekadash drejtohet nga socialistët dhe që prej vitit 2015 nga Armando Subashi, ish-gjyqtar dhe ish-deputet i Partisë Socialiste. Prej vitit 2015 edhe në krye të Bashkisë së Roskovecit është socialistja Majlinda Bufi.
Prej vitit 2019 AGA-1 ka fituar 10 tenderë nga Albpetrol, me vlerë 695 milionë lekë, afro 7 milionë euro. Nga 10 tenderë të fituar, gjashtë identifikohen me flamur të kuq. Në pesë raste ka munguar konkurrenca, ndërsa në një prokurim janë skualifikuar të gjithë garuesit, përveç
fituesit. Thuajse të gjitha tenderat e fituara janë për furnizimin e këtyre institucioneve me karburante të llojeve të ndryshme.
Të dhënat tregojnë se Sali dhe ortaku i tij janë nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në Fier që nga viti 2016. Biznesmeni Renato Sali ishte i paarritshëm për tu pyetur për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Akuza për trafik droge dhe ndërtim
Renato Sali nuk është i vetmi person, që ka qenë i dyshuar për krim të organizuar, i cili ka përfituar fonde publike. Arben Isufaj, i njohur edhe si “Ben Qimja”, i dënuar në Itali për trafik droge, i cili arriti që të shmangte ekstradimin e tij në vendin fqinj në vitin 2014, ka përfituar tenderë në vlera të konsiderueshme. Isufaj është përsonazh i lakuar për një sërë ngjarjesh kriminale.
Një vendim i Gjykatës së Fierit, i janarit 2009, ekspozon pushtetin dhe reputacionin kriminal që Arben Isufaj, që arriin t’u drejtojë armën funksionarëve të policisë. Për këtë ngjarje u dënua me gjobë. Në vendim sqarohet se, më 27 maj 2007, shefi i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë, Fier, Luan Hysenaj, së bashku me dy vartës të tij kanë shkuar në një objekt, që po ndërtohej dhe kanë kërkuar shoqërimin e Ahmet Isufajt, xhaxhait të Arben Isufajt, pasi ai kërkohej nga Prokuoria e Durrësit. Ai ka refuzuar që të shkojë, duke pretenduar se e kishte mbyllur çështjen. Në vendngjarje ka mbërritur edhe shefi i Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe forca të tjera, policore. Nga ana tjetër ka mbërritur i armatosur Arben Isufaj.
“Nuk e shoqëron dot ti, se erdhi Ben Qimja”, – i është drejtuar shefit të Krimeve një nga personat, që kishte qenë së bashku me Ahmet Isufajn. Ndërkohë, Arben Isufaj i ka thënë funksionarit të policisë: “Lëshoje, se ti hodha zorrët në tokë!”.
Në vendim thuhet se, Ben Qimja i ka drejtuar pistoletën edhe shefit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, i cili po ashtu ka nxjerrë pistoletën për t’u vetëmbrojtur. Arben Isufaj dhe xhaxhai i tij, janë larguar me një automjet, ndërsa policia ka vijuar t’i ndjekë, por pa ja arritur.
Afro dy vjet pasi kishte ndodhur ngjarja, Gjyqtarja e Fierit, Lindita Sinanaj, pavatësisht se konstaton që vepra është e rëndë dhe nuk ka rrethana lehtësuese, i dënon të dy autorët me gjobë. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Isufaj është dënuar vetëm me 800 mije lekë gjobë. Xhaxhai i tij me 66.667 (më pak se 700 Euro).
Xhaxhai i Isufaj ka gjithashtu një të shkuar të pasur kriminale. Në vitin 2006 ai është vendosur nën akuzë për prodhim dhe shitjes se narkotikeve. Por, një vit më vonë, prokuroria e Durrësit, ndërsa ka cuar për gjykim, gjithë bashkëpunëtorët e tij, për Ahmetin ka vendosur të pushojë hetimet. Pesë vite më pas, në 2011, Ahmeti është arrestuar nga Prokuroria e Prishtinës me akuzën e pjesëmarrjes në krimin e organizuar dhe trafikut të drogës. Pasi ka zbutuar masën e sigurisë në detyrim paraqitje, ky i fundit është larguar nga Kosova, për tu arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë kosovare. Ai është ekstraduar në Kosovë në janar 2021, për krim të organizuar dhe trafik droge.
Arben Isufaj u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002, por gjykata e nxorri të pafajshëm.
Gjithashtu, ekziston një vendim i Gjykatës së Torinos për Isufajn të vitit 2010, për trafik droge dhe si pjesëmarrës në organizatë kriminale. Bazuar në kërkesën e ekstradimit nga Italia, Isufaj u arrestua në mars të vitit 2014, dhe Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj tij, masë që u la në fuqi dhe nga Apeli. Por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Aleksandër Muskaj, dhe me anëtarët Edmond Islamaj, Shkëlzën Selimi, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, në 2 korrik të vitit 2014, konkludoi se Gjykata e Tiranës nuk e kishte kompetencën për shqyrtimin e ekstradimit të Arben Isufajt dhe kaloi dosjen në Fier.
Gjykata e Fierit hoqi masën e sigurisë, duke “refuzuar” në këtë mënyrë kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi atëherë inspektim dhe vlerësim të procedurave, që janë ndjekur për vendimmarrjen dhe lirimin e Isufajt. Sipas prokurorisë, vendimi për mos-zgjatjen e afateve të masës “Arrest në burg” për Isufajn ishte i pabazuar në ligj dhe në prova dhe cenonte marrëdhëniet e besimit të mirë dhe të reciprocitetit të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja.
Por, pasi vendimi i Gjykatës së Fierit u konfirmua nga Gjykata e Apelit në Vlorë dhe Gjykata e Lartë, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi arkivimin e ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm, duke mos evidentuar shkelje ligjore.
Të pestë gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që gjykuan ekstradimin e Arben Isufajt u përjashtuan nga sistemi gjyqësor nga procesi i vetting-ut.
Gjykata e Apelit të Torinos rrëzoi akuzën për krijim të organizatës kriminale dhe la në fuqi akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Rrëzimi i njërës prej akuzave nga Gjykata e Apelit të Torinos u përdor si argument nga gjykatat shqiptare për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e Isufajt. Pasi Gjykata e Fierit i hoqi masën e sigurisë duke e lënë të lirë, vendosi edhe mos lejimin e ekstradimit të tij.
Arben Isufaj, prej dy dekadash është një biznesmen i suksesshëm në fushën e ndërtimit, si dhe zotëron prona të paluajtshme, të konsiderueshme.
Në vitin 2020, operacioni Forca e Ligjit i Policisë së Shtetit i dërgoi Isufajt kërkesën për vetë-deklarim të pasurisë.
SPAK regjistroi në maj të vitit 2021, procedim pasuror në ngarkim të Arben Isufajt, bazuar në një shkresë përcjellëse nga Drejtoria e Policisë së Fierit e vitit 2017. Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të majit 2023, lidhur me kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të Arben Isufajt dhe personave të lidhur me të, pasqyrohen të gjitha pasuritë e verifikuara në kuadër të këtij hetimi pasuror, ku ka rezultuar se janë përfituar edhe tenderë publikë.
Në vendim shkruhet se nga të dhënat e materialit kallëzues dhe nga hetimet e kryera, është konstatuar se Arben Isufaj dhe persona të lidhur me të, familjarë dhe një person tjetër, kanë kryer transaksione të shpeshta bankare në shuma të konsiderueshme, në emër të tyre apo të shoqërive të krijuara, tregtare, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe të hidrokarbureve. Këto transaksione dyshohen të jenë produkt i veprimtarisë kriminale të Arben Isufajt apo familjarëve të tij. Po ashtu, janë konstatuar edhe investime të shumta në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Sipas prokurorisë, Arben Isufaj i ka kaluar pronat, që zotëron, në administrim apo në pronësi të familjarëve. Nga hetimi janë identifikuar: dy troje, një nga të cilët me sipërfaqe 10 mijë m2; tre pallate; dy hotele në Radhimë; dhjetë hektarë truall në lagjen Mbrostar Ura, në Fier, ku janë të instaluara dy magazina; katër sipërfaqe toke në Fier, që janë vendosur si kolateral për interesat e një kreditimi prej 8 milionë eurosh në vitin 2015, etj.
Nga aktivitetet ekonomike të lidhura me Isufajn, ka rezultuar se në vitin 2004, ka regjistruar një shoqëri me objekt në fushën e ndërtimit, që e ka filluar aktivitetin e saj me kapital fillestar prej 1 milion lekësh, ndërkohë që për një periudhë dhjetëvjeçare ka rritur ndjeshëm treguesit ekonomiko-financiarë.
Në vitin 2012, ka ofruar një ambient për tregun ambulant të Fierit, në katin e parë dhe të nëndheshëm të pallatit në qendër të Fierit, të quajtur Cupola, ku ndodhen 200 dyqane, që janë dhënë me qira.
Isufaj bashkë me menaxherin e tij, në vitin 2010, kanë krijuar një shoqëri me objekt përpunimin dhe pastrimin e naftës bruto, me kapital fillestar 2 milionë lekë. Kjo shoqëri fitoi tenderin për blerjen e 60 mijë tonëve naftë bruto në vitin 2010. Në vendim thuhet se për këtë tender Iufaj ka depozituar një shumë prej 7 milionë eurosh, si dhe ka bërë pjesë disa ortakë, lidhje të tij shoqërore.
Me një shoqëri tjetër për rritjen e shpendëve dhe prodhimin e vezëve ka rezultuar se ka realizuar ndërtime godinash në Fier, në Durrës dhe në Tiranë. Një tjetër shoqëri ka si objekt veprimtarie në fushën e ndërtimit, mediave vizive, shërbime lavanderie, hoteleri etj. Pa harruar edhe një lavazh.
Nga pasuritë e verifikuara, prokuroria ka sekuestruar e më pas ka konfiskuar një pjesë të tyre; 33% të kuotave të kapitalit të shoqërisë Akili Alb; një pulari, pjesë e shoqërisë Isufaj 2001; shoqëria Isufaj 2004; truall 3289 m2 në Fier; tokë pa fryt 14 mijë m2 në Hasturkas, Fier; dy ngastra tokë-arë; si dhe 6 automjete.
Gjytari Erjon Bani vendosirevokimin e sekuestros ndaj shoqërisë Isufaj 2004, me argumentin se është provuar se pallatet janë ndërtuar me paratë e paguara paraprakisht nga porositë nga ana e klientëve dhe për rrjedhojë janë konsideruar të ligjshme.
Kajolli, pjesë e krimit dhe e politikës
Një tjetër personazh i botës së krimit në Fier është ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Fierit, Fatmir Kajolli, i cili në vitin 2011 u bë pjesë e politikës lokale nën siglën e Partisë Republikane. Megjithëse reputacioni i tij nuk matet me atë të Salit dhe të Isufajt, të qenit njeri publik, i angazhuar në biznes e në politikë, si dhe problemet me ligjin brenda dhe jashtë vendit, e kanë bërë të njohur. Kajolli, si biznesmen zotëron pasuri të paluajtshme në vlera të konsiderueshme, një pjesë e të cilave janë sekuestruar, ndërsa shumica janë vlerësuar nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në vitin 2018, se ishin të dhuruara dhe provohej ligjshmëria e burimit të tyre.
Falë vendimeve gjyqësore ai i shpëtoi ekstradimit në Itali, për dënimin e marë në vitin 2000, nga Gjykata e Romës me 6 vjet burg, dhe në vitin 2001 nga Gjykata e Milanos me 16 vjet heqje lirie për pjesëmarrje në organizatat kriminale dhe për trafik droge. Po ashtu, ai pati në favor të tij një seri vendimesh të gjykatave shqiptare për ulje dënimi dhe amnisti.
Lidhur me kërkesën e prokurorisë për lejimin e ekstradimit në Itali, Gjykata e Fierit konstatoi se ekstradimi është kërkuar për dënimin me 6 vjet burg, ndërsa nga ana e drejtësisë italiane Kajollit nuk i jepej garancia se nuk do t’i nënshtrohej kufizimit të heqjes së lirisë dhe për dënimin tjetër me 16 vjet burg.
Kajollit dhe personave të lidhur me të iu kthyen pjesa më e madhe e pronave të sekuestruara në bregdetin e Semanit, të fituara përmes kontratave të dhurimit, me argumentin se ishte provuar ligjshmëria e tyre. Vendimi për kthimin e një pjese të pronave u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë në vitin 2023, e cila rrëzoi rekursin e prokurorisë.
Djali i Kajollit nënshkroi në vitin 2011 një kontratë me Bashkinë e Fierit për administrimin e parkimeve, biznes që e çoi në dyert e prokurorisë, por dhe në këtë rast gjykata e deklaroi të pafajshëm.
Një vështrim në kohë zbulon mënyrën sesi eksponentë të akuzuar për krim të organizuar kanë depërtuar në financat publike në Fier dhe përtej. Individë të akuzuar për krime të rënda, janë konsideruar të pafajshëm nga drejtësia lokale dhe kanë arritur të konsolidojnë pasuritë e tyre përmes tenderëve publikë dhe aktiviteteve të tjera financiare, tahsmë të paprekur nga drejtësia.