Një 33-vjeçar nga lagjia “Uznovë” në Berat rezulton i zhdukur prej 9-ditësh. Ai është larguar nga banesa e tij pa njoftuar askënd.
Sokol Ago mësohet se ka dalë nga shtëpija e tij mesditën e 15 shkurtit dhe që prej asaj dite familjarët nuk e kanë parë më dhe nuk dinë asgjë për vendndodhjen e tij.
Mësohet se mesditën e sotme në Drejtorinë Vendore të Policisë së Beratit ka bërë kallëzim nëna e tij, 63-vjeçarja Hajrie Ago, e cila ka denoncuar zhdukjen e djalit dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e tij.
Gjatë kryerjes së denoncimit ajo ka dhënë edhe të dhënat fizike të djalit dhe mënyrën e veshjes së tij ditën e largimit nga banesa.
33-vjeçari është 1.70 i gjatë, me sy kafe dhe ditën e 15 shkurtit, sipas nënës, kishte veshur një palë pantallona xhins ngjyrë blu, një xhup të zi meshin dhe këpucë të zeza, ndërkohë që celularin e kishte lënë në shtëpi.
Burime nga policia e Beratit bëjnë me dije se po punohet për gjetjen e vendndodhjes së Agos, që njihet në qytet si një përdorues i rregullt i drogave të forta./Albeu.com/