EMRAT/ Asgjësohen 374 bimë kanabisi në Mirditë, arrestohet autori dhe procedohet kryeplaku i fshatit

Finalizohet pas disa javës operacioni i koduar “Seven”, ku u sekuestruam 374 bimë kanabis sativa dhe dy armë gjahu.

Në pranga ka rënë autori i dyshuar, Endri Çupi i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët. Ndërsa është identifikuar bashkëpunëtori Jetmir Marku. Po ashtu mësohet se është proceduar kryeplaku i fshatit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi disajavor në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Seven”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: Endri Çupi, 27 vjeç, banues në fshatin Batra, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij në vendin e quajtur “Përroi Batrajve”, kishte kultivuar në 7 parcela të ndryshme në distancë nga njëra tjetra, 374 bimë kanabis sattiva.

Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e vona të mbrëmjes.

Gjithashtu pas një pune intensive hetimore, është arritur të identifikohet i dyshuar si bashkëautor në këtë aktivitet kriminal, shtetasi Jetmir Marku, 33 vjeç, banues në fshatin Xhuxhë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer në bashkëpunim ku vijon puna për kapjen e tij.

Në vijim të hetimeve proceduriale nga policia, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Endri Çupit është sekuestruar një armë gjahu çifte pa leje si dhe është bërë bllokimi i po një arme tjetër gjahu me leje.

Në vijim të operacionit, u procedua penalisht për shpërdorim detyre kryeplaku i fshatit Batra. Ky shtetas dyshohen se nuk ka kryer detyrën e tij funksionale, në zonën që mbulon.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.


Shtuar 13.07.2024 10:30