Ramazan Sino, 29 vjeç mbeti i vrarë gjatë një atentati mafioz më 4 korrik 2023 në Larushk të Krujës.
Shënjestra e atentatit ishte Gentian Bejtja, kunati i Sinos.
Teksa po bëhen dy muaj nga atentati, policia nuk ka gjetur as autorët dhe as shënjestrën e atentatit, Gentian Bejtjan.
Dyshohet se ky i fundit fshihet në disa baza në Lezhë, por kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat.
Si ndodhi ngjarja
Persona të paidentifikuar qëlluan drejt shtëpisë Gentian Bejtjes, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe i biri 13 vjeçar Alvi Bejtja u plagos.
Gentianit dhe familjarëve të tij iu bë pritë rreth orës 00:15 dhe sapo kanë zbritur nga makina, pranë banesës së 42-vjeçarit, është qëlluar me breshëri plumbash. Dyshohet se autorët kanë ndjekur lëvizjet e Ramazan Sinos dhe nipit të tij, Alvi Bejtja deri në momentin që kanë mbërritur në banesë, shkruan albeu.com. Dy persona kanë pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa një person ka drejtuar automjetin e autorëve tip “Volsëagen”, që 25 minuta pas ngjarjes u gjet i djegur në fshatin Tapizë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, makina është djegur totalisht, teksa brenda saj janë gjetur 3 armë zjarri tip kallashnikovë. Por në zonë nuk ka kamera sigurie pasi janë hequr në kuadër të operacionit të policisë “Fijet”.
Kjo është hera e tretë që Gentian Bejtja i shpëton atentatit.
Me 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.
Gentian Bejtja më 2016 i ka shpëtuar një atentati, me eksploziv. Bejtja ishte personi që së bashku me Enver Stafukën vodhën veturën e përdorur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Por po ashtu Bejtja, një ish- polic i burgut të Fushë- Krujës, është i njohur për policinë për precedentë penalë në krimet ndaj pronës.
Bejtja u bë i njohur me 26 shkurt të vitit 2013, një ditë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, në rrugën “Petro Korçari”, fare pranë banesës së tij. Ai së bashku me Enver Stafukën, u arrestuan nga policia, të dyshuar për vjedhjen e veturës BMË, e përdorur në vrasjen e kryekomisar Lamaj./albeu.com/