Donte pranë tij deputetin Arbi Agalliu në vend të Gazment Bardhit, zbulohet kërkesa e Bashës për kryetaren e Kuvendit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një kërkesë më 11 tetor të vitit 2023 për ndërrimin e vendeve në Kuvend, ku pranë tij donte deputetin Arbi Agalliu në vend të Gazment Bardhit. Ai kishte kërkuar dhe ndryshimin e deputetëve të tjerë, por kërkesa e tetorit ende nuk është shqyrtuar, pasi të gjithë deputetët vijojnë të ulur në vendet që mbajnë që nga marrja e mandatit.

Përmbajtja e kësaj kërkese është zbardhur në denoncimin që Partia Demokratike Zyrtare i ka bërë sot kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, për shpërdorim detyre.

KËRKESA:

Më datë 11.10.2023, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Kryetari Lulzim Basha, me shkresën nr.178 prot datë 11.10.2023, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kryetares së Kuvendit shtetases Lindita Nikolla, në mbështetje të nenit 16 pika 3 të Rregullores së Brendshme të Kuvendit, miratuar me vendimin nr. 166 datë 16.12.2004 ka përcjellë disa ndryshime në vendet dhe uljen për disa nga deputetët anëtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike si më poshtë vijon:

Z. Arbi Agalliu zë vendin e z.Gazmend Bardhi dhe anasjelltas, -Z. Kreshnik Çollaku zë vendin e z.Agron Gjekmarkaj dhe anasjelltas. Në koordinim me deputetë të tjerë ndryshimin e vendve si më poshtë: Z.Selaudin Jakupllari zë vendin e z.Lefter Gështenja dhe anasjelltas, Znj.Andia Ulliri zë vendin e z.Asllan Dogjani dhe ansjelltas, Znj.Merita Bakiu zë vendin e z.Saimir Korreshi dhe anasjelltas.

Kërkesa e Bashes nuk është njoftuar nga Nikolla në Kuvend dhe për rrjedhojë janë listuar si shkelje në padinë e tij ndaj kryeparlamentares. Nga ana tjetër, për kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhi i pyetur nga media muaj më parë eshte shprehur se vendet në Kuvend nuk janë problem.


Shtuar 18.04.2024 17:17