Brenda plot turistë, IKMT prish “Prestige Restort”, pronarët: Ndërhyrje e paligjshme

Ministria e Brendshme, njofton se, sot strukturat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator. Në kohën kur IKMT ka ndërhyrë, dhomat e resortit kanë qenë të mbushura me turistë. Këta të fundit kanë dalë të frikësuar nga ambientet e akomodimit, ndërsa nuk kanë kuptuar atë që po ndodh.

Në njoftimin për mediat, ministria sqaron se “ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare”.

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë vijuar operacionin në bregdet për të prishur edhe një ndërtim në resortin “Prestige” në Malin e Robit.

Ministria e Brendshme shton se, “ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre”.

Resorti në fjalë ku po kryen shembje IKMT, është në pronësi të botuesit Irfan Hysanbelliu, po ashtu pronar i grupit editorial përbërë nga News24, Balkanweb dhe Panorama. Disa të këtij grupi, thonë se pishinat nuk janë abuzive dhe se “urdhri i prishjes është dhënë nga kryeministri Edi Rama si formë hakmarrje politike kundër linjës editoriale të mediave të Hysenbelliut që prej disa kohësh kanë një qëndrim kundër qeverisë”.

Reagime të forta kundër aksionit të IKMT, ka pasur edhe nga ana e opozitës, të cilët e kanë cilësuar si një sulm personal ndaj pronarit të resortit.

Reagimi i Zëvendëspresidentes se ‘Focus Media Grup’, Fabiola Hysenbelli

Zëvendëspresidentja e ‘Focus Media Grup’, Fabiola Hysenbelli pohoi se kryeministri Edi Rama duhet të përgjigjet para të gjithë shqiptarëve se pse po prish një pronë të ligjshme, për interesa të tij. Ajo tha për News24 se Rama kërkoi që të ndryshohej politika editoriale, ndërsa tha se ai duhet të tregojë dokumentet mbi të cilat është bazuar që po shemb sot dy pishina të ‘Prestige Resort’ në Golem, në pronësi të “Hysenbelliu Group”.

“Kjo situatë ishte e planifikuar nga zoti Edi Rama. Ai është mundur të negociojë për editorialin e News24 dhe Panorama. Ne jemi këtu për ti thënë; ne nuk ndryshojmë editorianlin. Kjo që po bën ti nuk na mposht. Ne nuk mposhtemi me fadroma dhe Dallëndyshet. Sot këto dy pishina ishin duke u përdorur nga turistë. Sot duhet t’ia shpjegojmë sot 100 amerikanëve që kanë ardhur për një dasmë. Kemi turistë nga Skandinavia, nga Europa, dhe thonë si kam mundësi? Shteti te ne është kthyer në privat dhe jo në shtet. Ta dëgjojë mirë sot Edi Rama. Këtë që po bëjë sot, do ta mbajë mend, ai dhe stafi i tij që po shkelin ligjin dhe gjykatat. Gjithçka është firmosur nga ai. Edi Rama nuk mund të na mposhtë ne. Kjo pishinë do të bëhet edhe më e bukur se dje. Ti nuk na mposht ne. Ai ka qenë këtu dhe shëtiste, dhe bënte xhiro, tregonte se si duhet ti bënim ngjyrat e goditës, të bardha apo kafe. Ku je Edi Rama? Hajde këtu dhe trego po qe burrë, trego letrat e tua. Nuk është shtëpia e tij, por prona e të gjithë shqiptarëve. Kemi njerëz në hotel, nuk harrojë të kuptojë. Por dhe Policia është me ta. Të ishte Dallëndyshja sot zonjë të ishte këtu sot bashkë me atë tjetrin. Nuk është vetëm turizmi që sulmohet, por e drejta që ka çdo qytetar, prona private, një zë i lirë. Ne nuk e mbyllim gojën kur do Edi Rama. Kur i ndodh kjo një media, imagjino se çfarë do i ndodhë një individi? Si do të flasë sot Edi Rama para botës. Si mund të vish të prishës një resort, kur njerëzit janë brenda. Si vjen pa njoftim? Ai dha idenë se si duhet të ishte projekti, donte të ndërtonte një ishull në mes të detit. Sot iu prishën interesat dhe flet me gjuhën e ekskavatorëve. Kjo është përgjigja që ai flet sot?!”, tha Hysenbelliu.

 


Shtuar 2.09.2022 11:20