Bill Clinton për herë të parë në Shqipëri, nderohet me “Ylli i Mirënjohjes”. Rama: Presidenti më shqiptar që mund të gjenim në SHBA!

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton ka mbërritur në Rinas në orën 15:18. Ai u prit nga kryeministri Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar në Rinas. Vizita e Clinton në Shqipëri përkon me festën e pavarësisë së SHBA-së, nesër më 4 korrik dhe me ditëlindjen e kreut të qeverisë Edi Rama.

Pasi zbriti nga avioni,  eskorta la aeroportin e Rinasit për tu nisur drejt Tiranës.

Për herë të parë, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, prek sot tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri në 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.

E gjithë Tirana është përgatitur për këtë vizitë historike duke veshur rrugët kryesore me flamujt kuq e zi dhe flamujt amerikanë.

Rrugët kryesore ku do të kalojë dhe eskorta që do të shoqërojë Clintonin janë zbukuruar me flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat nesër festojnë dhe Ditën e Pavarësisë.

Gjithashtu  ka një prani të madhe të forcave të policisë rrugore të cilat përpiqen të menaxhojnë qarkullimin rrugor.

20:16- Rama nderon ish-presidentin Clinton me Yllin e Mirënjohjes: Ju kërkoj me përulje ta pranoni

Kryeministri Edi Rama ka nderuar ish-presidentin amerikan me Yllin e Mirënjohjes, gjatë vizitës së parë të tij në Shqipëri.

Rama vuri në dukje se ky është çmimi më i lartë që jepet nga zyra e kryeministrit dhe tha se më parë e kanë marrë edhe persona të tjerë si ish-kanxelarja gjermane Angela Merkel.

“Nuk ka fjalë që mund të shprehin mjaftuehëm përulësinë e thellë që ndjej duke ju kërkuar me përulje të pranoni medaljen e Yllit të Mirënjohjës, që është çmimi më i lartë që i jepet dikujt nga zyra e kryeministrit. Ky nder i është dhënë Merkelit, Donald Tusk, etj”, tha Rama.

19:57- Tensionet Kosovë-Serbi, Clinton nga Tirana: Duhet ta ndalim këtë marrëzi!

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, i cili viziton Shqipërinë për herë të parë ka mbajtur fjalimin e tij historik jashtë ambienteve të kryeministrisë.

Për ish-presidentin ishte organizuar një ceremoni madhështore dhe mijëra qytetarë ishin të pranishëm për ta ndjekur nga afër.

Ai tregoi se gjithmonë kishte dashur ta vizitonte Shqipërinë dhe kur ishte 18 vjeç pyeste vetenn se si mund të ishte një vend komunist asokohe.

Clinton nuk la pa prekur edhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe tha se kjo marrëzi duhet ndalur sa më parë.

Clinton: E kam të vështrë të them diçka për atë që është bërë  e është thënë sot. Mësimet e mia kryesore që mësova në politikë nuk janë ato që kam mësuar në universitet apo në datën e zgjedhjeve. I kam mësuar kur isha vetëm një djalë i vogël që rritesha duke parë njerëzit të jetonin jetën e tyre. Kam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për gjithkënd. Është e rëndësishme që ne të pranojmë fort dhe qartë që dallimet tona kanë rëndësi dhe duhet të ndihemi të lirë t’i shprehim ato, duhet të jemi në gjendje të dëgjojmë njëri-tjetrin.

E vetmja mënyrë me të cilën mund të kenë vlerë dallimet tona është nëse themi qartë që të qenit njerëz dhe humanë vlen më shumë. Jam mrekulluar sepse kur isha i ri në universitet dhe studioja Luftën e Ftohtë, botën komuniste, shikoja Shqipërinë në hartë qe paraqitej si një mister, e mbyllur. Më kujtohej kur isha 18 vjeç dhe thoja a do të shkoj ndonjëherë aty, pyesja veten si mund të jetë aty. Kurrë nuk ma merrte mendja se do të vija si President. Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe thjesht duke më lënë t’ju shoh sepse kam jetuar rreth njerëzve që janë përpjekur të ngrenë mure rreth vetes dhe të tjerëve.

Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do doja mos kishte ndodhur kurrë. Kosovarët i krijuan ato 4 qyteza në të mirë të serbëve. Mendoj se tani kanë bërë një gabim, mendoj se është e lehtë për shqiptarët në shumicë që të përpiqen të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin, por duhet ta ndalim këtë marrëzi. Qytetarët kanë nevojë të votojnë, gjithmonë. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension. Ka njerëz që jetojnë aty dhe qytetarëve kanë nevojë t’u thuhet se ju duhet.

19:50- “Jam pa fjalë!” Clinton shpreh mirënjohje për mikpritjen shqiptare: Do e ruaj si thesar këtë moment, doja gjithmonë të vija

Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen që iu bë ditën e sotme gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Ai tha se do ta ruajë këtë kujtim si një thesar gjithëjetën e tij, teksa shtoi se ndeshet shpesh me shqiptarë në jetën e tij të përditshme në New York.

“Jam pa fjalë! Po të kisha gjykim të shëndoshë nuk do thoja asgjë. Kryeminsutër ministra, zyrtarë, të ftuar e të gjithë popullit shqiptar që kanë qenë pjesë e kësaj dite të shkëlqyer dua t’ju falenderoj për një moment që do ta ruaj si thesar gjithë jetën time. Ka më shumë se 10 vjet që kur bashkëshortja ime erdhi këtu si sekretare e shtetit dhe gjithmonë e pyesja si po ndihesh, si po shkon, sepse gjithmonë doja që të vija. Dhe ndjej që edhe pse jam një qytetar privat, pas asnjë pushtet publik, mund të flas për këtë çështje në emerër të popullit amerikan.

Për partitë tona politike, dallimet tona filozofike, ndonjëherë dhe kundërshtive tona fetare, pavarësisht, ne jemi të angazhuar për lirinë, forcën, integritetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Jam shumë mirënjohes për atë që kryeministri tha lidhur me Kosovën. Unë dhe Hilary jetojmë në New York që është vendi me përqednrimin më të madh të shqiptarëve në Amerikë. Nuk bëj të eci rrugës pa i parë”, tha Clinton.

19:41- “Faleminderit Bill!” Detaji i veçantë në ceremoninë e pritjes së ish-Presidentit, të rinj e të reja me emrin Klinton

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton viziton sot për herë të parë Shqipërinë, ku është pritur me ceremoni të veçantë.

Në mbyllje të fjalimit të tij, kryeministri Edi Rama prezantoi një detaj të veçantë të ceremonisë, ku janë ftuar të rinj e të reja nga Kosova, që mbajnë emrin Klinton në nder të ish-presidentit amerikan.

Në ceremoni ishin të pranishme edhe të reja me emrin Hilary, në nder të bashkëshortes së ish-presidentit, teksa një djalë tjetër quhej Bill Klinton, duke mbajtur në këtë mënyrë emrin e plotë të ish-presidentit amerikan.

Ata falenderuan Clinton për kontributin e tij për Kosovën, teksa shprehën nderin që mbajnë atë emër.

19:38- “Jeni Presidenti më shqiptar që mund të gjenim në SHBA”, Rama: Clinton mori vendimin historik për çlirimin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama në fjalën në nder të presidentit të SHBA, Bill Clinton tha se ai mori vendimin historik për çlirimin e Kosovës nga forcat serbe. Kjo vendimmarrje, përcaktoi të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit, thekson kreu i qeverisë. Në fund të fjalës së tij, Rama i tha Clinton se ai është Presidenti më shqiptar që kombi ynë mund të gjente në Amerikë.

RamaClinton nuk do t’i kishte gjetur kurë aleatë për çlirimin e Ballkanit nga diktatori i fundit, jo vetëm Blair, por edhe krye e majtë të Anglisë, bashkë me kryen konservator të Spanjës, ishin pesëshja kyçe që ia mundësuan Cilnton vendimmarrjen historike të NATO-s për realizmin e çlirimit të Kosovës dhe çeljen e një epoke të re, për këtë lagje të njohur si fuqia e barutit në zemër të Eruopës. Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë forcën rrëqethëse të fjalës së Clinton në 24 mars 1999 kur iu drejtuar mbarë botës, “Sot Forcat tona të Armatosura, së bashku me aleatët tanë të NATO-s morën pjesë në goditjet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për brutalitetin e ushtruar në Kosovë. Ai fjalim është për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktuar i rrugës së të ardhmes. Ju jeni presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim në Amerikë dhe me respektin më të madh për të gjithë presidentët e vendit tuaj, vendi juaj në zemrën e kombit tonë është aty ku qëndron miku më i madh i nderit.

19:19- Bill Clinton në Tiranë, Rama flet me superlativa për ish-Presidentin: Kam admiruar ato që ka thënë

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në ceremoninë pritëse të Bill Clinton. Rama ka folur me superlativa për ish-Presidentin, i cili viziton Shqipërinë për herë të parë. Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu figurën e Clinton në politikë.

Rama: Jo vetëm ia kam parë, dëgjuar, rilexuar ato që ka thënë por edhe studiuar se si i ka thënë. Për të mësuar prej përmbajtjes dhe artit të tij të pashembullt të komunikimit. Mbi të gjitha duke i admiruar atë që as nuk mësohet as tregohet dot, empatinë magjepsëse që e bën Presidentin një ndër oreatorët më të mahnitshëm që ka njohur historia.

Presidenti Clinton ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Evropën dhe botën me forcën e fjalës së tij.

Ne shqiptarët kemi pasur privilegjin ta përjetojmë drejpërdrejt në lëkurën e kombit tonë forcën rrëqethëse të fjalës së Presidentit Clinton në mbrëmjen e 24 marsit 1999 kur iu drejtua Amerikës dhe gjithë botës. Ai fjalim është për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë një gur përcaktues i rrugës të së ardhmes.

Askush nuk e di si do të kishte qenë e ardhmja e rajonit tonë, pa Presidentin, por koha që do rridhte pa atë vendim historik mund të kishte qenë shumë e zymtë.

19:12- VIDEO/ Për herë të parë në Tiranë, Bill Clinton pritet me ceremoni zyrtare nga Rama

Ka nisur ceremonia e pritjes së ish-presidentit të SHBA-së Bill Clinton.

Bill Clinton dhe kryeministri Edi Rama do t’i drejtohen shqiptarëve me një fjalim nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përballë kryeministrisë.

Clinton vjen për herë të parë në Tiranë, ndërsa do të nderohet edhe me medaljen ‘Ylli i Mirënjohjes Publike’.

Qindra qytetarë janë mbledhur në shesh për të parë nga afër ceremoninë e pritjes se Clinton.

Në ceremoni u kënduan edhe dy himnet kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë./Albeu.com/

18:58- Deputetët e opozitës i përgjigjen ftesës së PS, Lulzim Basha merr pjesë në ceremoninë e Bill Clinton

Deputetë të opozitës i janë bashkuar ceremonisë për nderimin e presidentit të SHBA-së, Bill Clinton me medaljen ‘Ylli i Mirënjohjes Publike’.

Clinton do të mbajë edhe një fjalim para shqiptarëve.

Ndërkohë, ftesës së Partisë Socialiste i janë përgjigjur disa deputetë, mes tyre edhe Lulzim Basha.

Ndërkohë, janë parë edhe deputetët Agron Gjekmarkaj, Arbi Agalliu, Oriola Pampuri, Fatmir Mediu e Agron Duka, Enkelejd Alibeaj.

Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton ka nisur vizitën e tij zyrtare sot në Shqipëri, ku do të qëndrojë gati 24 orë.

Klinton dhe delegacioni që e shoqëron mbërritën në Tiranë ditën e hënë rreth orë 15:00.

Në orën 19:00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve./Albeu.com

17:29-Clinton në Shqipëri, ambasada amerikane i uron mirëseardhjen: Moment domethënës!

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka mbërritur në Shqipëri në vizitën e tij të parë në vendin tonë.

Ai është pritur në aeroport nga kryeministri Edi Rama, i cili ka ftuar qytetarët te kryeministria për ceremoninë e mikpritjes.

Ndërkohë, edhe ambasada amerikane në Shqipëri i ka uruar mirëseardhjen Clinton-it në Tiranë.

Në një postim në Twitter, vizita e tij cilësohet si një moment domethënës në marrëdhëniet mes dy vendeve,

“Mirë se erdhe në Tiranë President Clinton! Vizita e parë e ish-Presidentit në Shqipëri është një moment domethënës në miqësinë e qëndrueshme mes vendeve tona”, shkruhet në postim.

17:11- Begaj i uron mirëseardhjen Presidentit Clinton, mungon në ceremoninë pritëse, zbulohet arsyeja

Presidenti Begaj nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes së ish-presidentin amerikan Bill Clinton e cila do të zhvillohet në orën 19:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë.

Mësohet se ai do të mungojë në ceremoni për arsye shëndetësore.

Më herët presidenti Bajram Begaj i ka uruar mirëseardhjen ish-presidentit Clinton me anë të një postimi në Facebook.

Begaj thekson se Shqipëria dhe shqiptarët do t’i jenë përjetë mirënjohës për gjithçka që ka bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën.

Më tej Begaj thekson se vendimmarrja dhe lidershipi në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës e ka vendosur Clinton në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë.

“Mirësevjen në Tiranë Presidenti Clinton! Shqipëria dhe shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën. Vendimmarrja dhe lidershipi juaj në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës ju kanë vendosur në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë. Ju faleminderit nga zemra!”, shkruan Begaj.

16:08- Rama nxjerr foton e parë pas takimit me Clinton: Me mikun e përjetshëm të kombit shqiptar

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur sot në Rinas ish-Presidentin amerikan Bill Clinton.

Ai ka ndarë në Facebook një foto nga momenti kur janë takuar. Kreu i qeverisë gjithashtu fton qytetarët që të marrin pjesë në ceremoninë e mikpritjes së Presidentit.

“Rinas – Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri

*Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët”, shkruan Rama.

14:53- Çdo gjë gati për pritjen e Bill Klinton, Rama mbërrin në Rinas

Çdo gjë duket se është bërë gati për mikpritjen e presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Klinton. Teksa jemi pak momente para mbërritjes së tij, një banderolë me mbishkrimin “Welcome Mr.President” është shpalosur në fasadën e Korpusit.

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur rreth orës 14:40 në Rinas për të pritur ambasadorin amerikan.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar.

Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.

08:32- Vizita e ish-presidentit amerikan në Tiranë, policia njofton akset rrugore që do të bllokohen sot dhe nesër

Sot në Tiranë do të mbërrijë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton. Vizita e tij do të jetë dy ditore, duke përfshirë dhe ditën e nesërme, që përkon me pavarësinë e Amerikës si dhe ditëlindjen e kryministrit të vendit tonë, Edi Rama.

Për sigurinë e Klinton, policia ka njoftuar masat e marra dhe rrugët që do të bllokohe.

Sipas njoftimit të policisë, sot nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe nesër, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

Njoftimi i policisë:

DVP rTianë

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, të ish-presidentit të SHBA-së, z. Bill Klinton, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e z. Klinton, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton, i cili do të zhvillojë takime në datat 3 dhe 4 korrik 2023, në qytetin e Tiranës.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat që ka ndërrmarrë dhe do të zbatojë gjatë datave 3 dhe 4 korrik./Albeu.com


Shtuar 3.07.2023 20:00