Berisha nga Kamza: Më 14 maj votoni për të shpërbërë pushtetin monist

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha pasditen e sotme është ndalur në bashkinë e Kamzës, ku ka bërë prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha.

Sipas Berishës, në Shqipëri sot të gjitha pushtetet kontrollohen nga një person. Ai thekson se është kryeministri Edi Rama, i cili kontrollon sot të gjitha pushtetet, duke nisur nga ekonomia, Gjykatat, policia e deri te Presidenca.

Ai i bën thirrje qytetarëve që të shpërbëjnë pushtetin, sipas tij monist, të Edi Ramës.

Berisha: Është nder i veçantë të ju falenderoj dhe të jem sot këtu për të paraqitur para jush, Arjan Hoxhën, kandidatin tonë për kryetar bashkie me 14 maj me votën tuaj. Ju garantoj se Arjan Hoxha, kandidati i vullnetit dhe votës tuaj, kandidati i dinjitetit tuaj, do të shkrijë të gjithë energjitë e tij, të gjithë mendjen me përkushtimin më të madh, do të bëjë gjithçka që së bashku me ju ta ndryshojë me shpejtësi gjendjen në bashkinë e Kamzës. Do të bëjë  gjithçka që taksat tuaja ti shndërrojë në shërbime për ju të merituara.

Arjani do të jetë një shërbëtor i përulur i qytetarëve të Kamzës. Një administrator i aftë, i zoti, dhe i ndershëm, do të jetë një drejtues vizionar për transformimin e Kamzës.

CILI E FITON BASHKINE E KAMZES: KLIKO PER TE VOTUAR 

Me 14 maj, Kamza ndahet dhe Shqipëria, nga sistemi më i keq që ka njohur njeriu dhe njerëzimi, nga sistemi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, në duart e një individi. Çdo analizë që mund ti bëjmë historisë dhe të shkuarës do të gjejmë se regjimet më të këqija, më ç’njerëzore, më jo popullore, kanë qenë regjimet në të cilat një njeri i ka kontrolluar të gjitha pushtetet.

Dhe ky është rasti i Shqipërisë sot. Edi Rama i kontrollon sot të gjitha pushtetet e këtij vendi dhe e vërteta është se kontrollon të gjithë ekonominë, financat, gjykata, polici, SHISH, presidencë dhe çdo institucion tjetër.

Në këto kushte me 14 maj, ne votojmë jo vetëm për të vendosur Arjan Hoxhën qytetar të parë në Bashkinë e Kamzës, por votojmë për të shpërbërë pushtetin monist të Edi Ramës, votojmë për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri. Votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik./Albeu.com/ 


Shtuar 24.04.2023 19:34