Kryeministri Edi Rama ka thënë se do e takonte sërish Charles McGonigal nëse do të kthehej pas, edhe pse ky i fundit është dënuar në SHBA për korrupsion.
I pyetur nëse mendon se do të hetohet për këtë rast Rama tha pas mbledhjes së Asamblesë socialiste se ai nuk ka asnjë lidhje me ato që janë thënë në dokumentet e SHBA dhe theksoi se takimet e tij janë bërë në funksionin e kryeministrit.
“Pjesa më argëtuese e imja me ju është kur vini në gojën time gjëra që s’i kam thënë. Në prononcimet e mia lidhur me këtë çështje i jam referuar pikë për pikë çfarë është thënë në dokumente në SHBA. Unë s’kam lidhje me asgjë që kanë publikuar institucionet në SHBA. E kam takuar dhe do e takoja sa herë të kthehesha mbrapa sepse unë në takimet e mia jam kryeminstër i Shqipërisë dhe vlerësoj që sa herë më kërkohet takim nga zyrtyarë ameirkanë, jam i gatshëm t’i pres”, tha Rama. /albeu.com