Berisha u bën thirrje qytetarëve të mbështesin studentët: Nesër në orën 10:00, të gjithë para universitetit, deri në fitore

Hi Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një videomesazh ku ftoi qytetarët të qëndrojnë në krah të studentëve dhe të rinjve që prej disa ditësh po protestojnë kundër qeverisë.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor dhunën policore ndaj protestuesve. Sipas tij, më shumë se 2 mijë të rinj, gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë protestave.

Të lidhura

None found

Ai e përshkroi situatën si rikthim të “terrorit të kuq” dhe tha se protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka rrëzuar përpjekjen e qeverisë për t’i frikësuar ata.

Në mesazhin e tij, kreu i PD-së iu drejtua qytetarëve të çdo bindjeje politike, duke u kërkuar të kapërcejnë frikën dhe t’u bashkohen të rinjve. Sipas Berishës, studentët po luftojnë përtej së ardhmes së tyre, edhe për të ardhmen e Shqipërisë.

“Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, u shpreh Berisha.

Mesazhin e mbylli me ftesën që qytetarët të dalin nesër, në orën 10:00, para universitetit dhe të bashkohen me studentët: “Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në orën 10:00 para universitetit, gjer në fitore”.

Videomesazhi i plotë:

Ky mesazh u drejtohet të gjithë shqiptarëve. Prej një jave, Tirana po përjeton terrorin e kuq, të panjohur në Shqipëri që nga ditët e errëta të regjimit komunist. Fëmijët shqiptarë, të miturit, gjimnazistët dhe studentët po përballen prej një jave me dhunë barbare nga grupe narko-kriminelësh me uniformë.

Mbi 2 mijë vajza e djem, gjimnazistë, të mitur dhe studentë janë dhunuar egërsisht, ndaluar ose arrestuar gjatë kësaj jave, duke mbushur paraburgimet e vendit, nga burgu famëzi i Burrelit deri te burgu i Beratit.

Kemi parë reagime në vetëmbrojtje të studentëve dhe një përgjigje tejet disproporcionale: shkopinj gome që u thyejnë kockat e njoma, gaz helmues që ngrihet si re e zezë mbi Tiranë dhe po mbyt çdo ditë studentët, gjimnazistët, shtëpitë dhe banorët e tyre. Plumbat e gomës janë qëlluar me breshëri e pa mëshirë, në kundërshtim të plotë me ligjin, ndaj studentëve, gazetarëve e qytetarëve, duke u çarë kafkat.

Për të shpëtuar veten, Edi Rama shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Ajo mbështetet te mercenarë, te vrasës serialë të paguar 2500 euro, te mercenarë e vrasës serialë të sjellë nga jashtë dhe te mjete të teknologjisë së terrorit. Por protesta e sotme e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve, që dolën në mbështetje të studentëve të tyre, e përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës.

Ajo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit.

Pasi ua nxiu jetën shqiptarëve për 13 vite me vjedhjen kolosale të fondeve dhe pasurive publike, arrogancën, përçmimin, krimin, drogën, bllokimin e rotacionit politik dhe farsat elektorale, Edi Rama ka vendosur që deri në fund të tij t’i shkaktojë Shqipërisë kosto të rënda.

Ai kërkon të ruajë me çdo kusht veten, krimet dhe paratë e tij. Megjithatë, studentët dhe të rinjtë heroikë nuk tërhiqen. Bashkë me pedagogët e tyre, ata dolën sërish sot në sheshin e mejdanit dhe asgjësuan platformën e terrorit të kuq të Edvin Kristaq Kolekës.

Çdo qytetar shqiptar duhet ta kuptojë se sot ka një përgjegjësi.

Qytetarët e çdo bindjeje politike, si edhe ata pa parti, nuk duhet të harrojnë se prej 13 vitesh kanë ngritur zërin dhe u kanë kërkuar të rinjve të kundërshtojnë të keqen që ka kapluar vendin. U kanë kërkuar të marrin në dorë fatin e tyre. Studentët, gjimnazistët dhe të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri.

Ata po kryejnë detyrën e tyre. Tani ju takon juve.

Shumica e shqiptarëve, e cila prej një jave i mbështet studentët në heshtje dhe me gjithë shpirt, duhet ta mposhtë frikën e të dalë bashkë me ta në sheshin e mejdanit. Studentët janë sot drita e shpresës për Shqipërinë. Prandaj, i ftoj të gjithë qytetarët të dëgjojnë në ndërgjegjen e tyre thirrjen më sublime që mund të ndiejë njeriu: thirrjen e të rinjve dhe të kombit.

Çdo ditë pa dorëheqjen e Edi Ramës i kushton më shumë Shqipërisë, por çdo ditë që nuk u bashkoheni studentëve i zgjat Ramës fundin e pashmangshëm.

Dilni sot përkrah të rinjve, të cilëve Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por që ende nuk janë dorëzuar dhe duan ta ndërtojnë Shqipërinë sipas ëndrrave të tyre rinore. Ata ende shpresojnë ta bëjnë Shqipërinë. Po luftojnë për të ardhmen e tyre dhe për ty. Të mos i lëmë vetëm në betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në orën 10:00 para universitetit, gjer në fitore.

Zoti ju bekoftë!


Shtuar më 20.10.2026 17:29