69 oficerë policie në hetim nga SPAK/ Sekuestrohen 1 mln euro prona të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri

SPAK vendosi sekuestro ndaj pesë pasurive me vlerë një milionë euro, të dyshuara se i përkasin Oltion Bistrit, ish-drejtori i Forcave Operacionale, i arrestuar 6 muaj më parë për akuzën e shpërdorimit të  detyrës.

Si një ish-zyrtar policie që ka mbajtur detyra të rëndësishme nga drejtor qarku deri tek njësia që arreston të kërkuarit, Bistri doli në skenë mbas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY, ku u shfaqën së bashku grupe kriminale, prokurorë e policë. Në fashikullin e Metamorfozës, Oltion Bistri në një rast informon  Pëllumb Gjokën edhe ai i arrestuar, për një  aksion kundër lojërave të fatit që pritej të niste. SPAK njoftoi se në hetimet pasurore të nisura paralelisht , gjurmoi transaksione dhe shitblerje të dyshimta ku ish-zyrtari i policisë dhe të afërmit e tij dyshohet se i realizuan prej 2015.

SPAK deklaron se nga 2021 deri në fund të 2023,  hetoi 69 oficerë policie prej të cilëve dorëzoi në gjykatë 55 oficerë. Prej tyre tre janë shefa komisariatesh, një shef krimesh dhe ish policë që janë nën shqyrtim apo që gjykata ka shpallur vendim.

Në muajin dhjetor, ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se kush i ka shërbyer krimit të organizuar me gradat e policisë së shtetit krimit duhet të largohet. Duke thënë se kishte nisur një faze e re e vetëpastrimit të policisë, ministri I brendshëm urdhëroi policët të deklaronin nëse kishin përdorur apo jo aplikacionet ENchro dhe SKY. Sikurse mëson Albeu.com të gjithë në polici kanë firmosur  formularët me pretendimin se nuk kanë përdorur këto dy aplikacione.


Shtuar 31.01.2024 19:42