Sean Penn, aktori fitues i çmimit Oscar, vazhdon të mbetet dashuria më e madhe në jetën e Madonnës, edhe pse në albumin e saj më të fundit këngëtarja përmend në mënyrë kritike ish-bashkëshortin, sipas një miku të artistes.
Page Six raporton se në disa këngë të albumit “Confessions on a Dance Floor Part II”, Madonna i referohet vëllait të saj të ndjerë, njerkës dhe Sean Penn, me të cilin pati një martesë të trazuar gjatë viteve ’80. Në njërën prej këngëve, artistja përshkruan “ndjesinë e kërcënimit” që kishte përjetuar në atë marrëdhënie.
Të lidhura
None found
Pavarësisht këtyre vargjeve, një person i afërt me “Mbretëreshën e Popit” pohoi se Penn ka mbetur gjithmonë njeriu që ajo ka dashur më shumë.
Albumi përmban gjithashtu një moment intim për Madonnën: një duet me vajzën e saj 29-vjeçare, Lourdes Leon. Këngëtarja ka zbuluar se ideja për ta shkruar këngën së bashku erdhi nga Lourdes, e cila e pa bashkëpunimin si një rrugë për të shëruar raportin mes tyre.
Marrëdhënia e nënë e bijë ka njohur etapa të vështira, bëjnë të ditur burime pranë artistes. Lourdes e konsideronte Madonnën tepër të rreptë gjatë viteve kur po rritej, ndërsa këngëtarja mbante ndjenjën e fajit që e kishte rritur të bijën mes famës botërore dhe vëmendjes së pandërprerë publike.
Në duetin e tyre, Madonna e quan Lourdes “yll i vogël”. Të njëjtën nofkë ajo e kishte përdorur për vajzën edhe në albumin “Ray of Light”, të publikuar në vitin 1998, kur Lourdes ishte vetëm dy vjeçe.
Një tjetër shkak i largësisë mes tyre, sipas mikut të këngëtares, ishte dëshira e Lourdes për të krijuar identitetin e vet dhe për të mos u perceptuar vetëm si vajza e një superylli.
Madonna është kritikuar prej vitesh për disiplinën e fortë me të cilën ka rritur gjashtë fëmijët e saj. Raportimet thonë se ajo zbatonte rregulla të rrepta në shtëpi, kufizonte teknologjinë dhe kërkonte një mënyrë jetese të disiplinuar.
Edhe Lourdes ka deklaruar më parë se e ëma ishte “një maniake e kontrollit”. Ajo ka treguar se, pasi mbaroi shkollën e mesme, ndjeu nevojën të jetonte në mënyrë të pavarur dhe të ndërtonte jetën e saj.
Tashmë, megjithatë, marrëdhënia e tyre duket se ka marrë një kthesë të ndjeshme për mirë. Burime pranë familjes thonë se puna e përbashkët në muzikë i ka ndihmuar të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të afrohen përsëri.
“Madonna dhe Lola kanë pasur vështirësi në marrëdhënien e tyre, por tani po shkojnë shumë mirë falë krijimit të kësaj kënge”, deklaroi miku i artistes për Page Six.
