Kievi u godit nga raketa balistike ruse në orët e para të së shtunës, duke shkaktuar të paktën nëntë viktima dhe duke lënë 23 persona të plagosur.
Të lidhura
None found
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës njoftoi se në kryeqytetin ukrainas u regjistruan disa shpërthime. Si pasojë e sulmit, në zona të ndryshme shpërthyen zjarre dhe pati ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, një godinë banimi në distriktin Shevchenkivskyi pësoi dëmtime të pjesshme, ndërsa disa njerëz mbetën nën rrënoja, raportoi BBC.
Në distriktin Darnytskyi, autoritetet ukrainase konfirmuan vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e 14 të tjerëve, përfshirë dy fëmijë. Dy viktima të tjera u regjistruan në distriktin Solomyanskyi, ku dëmtimi i një pallati pesëkatësh la gjithashtu tetë të plagosur, mes të cilëve dy fëmijë.
Goditja ndaj Kievit ndodhi vetëm dy ditë pasi një raketë lundruese, e dyshuar si ruse, ra brenda territorit të Polonisë gjatë një sulmi masiv kundër Ukrainës, në të cilin u vranë të paktën tetë persona.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërkohë vazhdon të kërkojë kapacitete më të fuqishme për mbrojtjen ajrore të vendit. Gjatë vizitës në Uashington, ai i kërkoi presidentit amerikan Donald Trump autorizimin që Ukraina të prodhojë raketa interceptuese Patriot, të vlerësuara si sistemi më efikas për asgjësimin e raketave balistike.
Donald Trump tha se diskutimet po vazhdojnë, por theksoi se SHBA duhet të jetë e kujdesshme në transferimin e teknologjisë së përparuar ushtarake. Ai e përshkroi një vendim të tillë si “një hap të madh”.
