Aktori dhe regjisori Gjergj Mena ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare. Lajmi u bë i ditur përmes faqes “Eja në Teatër” në Instagram, në një postim të shoqëruar me fotografinë e tij.
Në mesazhin e publikuar shprehet dhimbje për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta. Për shtatë vite radhazi, Mena drejtoi me dashuri dhe përkushtim festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”, duke afruar me skenën qindra të rinj e të reja dhe duke i nxitur të duan teatrin.
Të lidhura
None found
Postimi kujton edhe “Yerma”, shfaqjen e tij të fundit, e cila u prit me shumë sukses. Vepra cilësohet si dëshmi e ndjeshmërisë së tij artistike, një gjurmë e rrugëtimit të tij dhe frymëzim për të rinjtë që do të ndërtojnë teatrin e së ardhmes.
“Eja në Teatër” shkruan se sot skena mbetet më e varfër dhe se largimi i Menës ndërpreu tepër herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë. Në fund të mesazhit përcillen ngushëllime për familjen, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik, së bashku me fjalët: “Qofsh i dritës, Gjergj🕯️”.
Gjergj Mena do të përcillet në banesën e fundit këtë të hënë, në orën 14:00, në Sharrë.








