VMRO dorëzon zyrtarisht interpelancën ndaj Xhaferit, ASH-ja nuk e mbështet

VMRO-DPMNE-ja kërkon mbështetjen e deputetëve në Kuvend për interpelancën ndaj kryetarit të ligjvënësit Talat Xhaferi. Nisma hyri në procedurë parlamentare.

“Kjo interpelancë është rezultat i kaosit që ndodh në Kuvend me urdhër të Xhaferit si rezultat i shkeljes më të shpeshtë të Rregullores si dhe arbitraritetin që e zbaton atë në shtëpinë ligjvënëse me çka seriozisht rrezikohet imazhi i këtij institucioni. Në punën, gjegjësisht, jo punën e deritanishme të Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit si asnjëherë më parë kanë ndodhur skandale dhe nënçmime të deputetëve vetëm se Xhaferi, përfundimisht, nuk don ose nuk din të drejtojë një institucion demokratik”, deklaroi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Aleanca për Shqiptarët nuk do ta mbështesë interpelancën edhe pse thotë se Xhaferi nuk duhet të jetë më kryetar. Sipas tyre, Xhaferi mban anën e pushtetit dhe vepron kundër opozitës.

“Interpelanca është veprim partiak. ASH-ja është subjekt politik në vete dhe mban përgjegjësi për veprimet e saja. Talat Xhaferi, fatkeqësisht, është kryetar i deputetëve të shumicës, nuk është kryetar i të gjithë deputetëve, ashtu siç do të duhej të ishte. Ky teatër nuk ja vlen të diskutohet, s’është diçka serioze. Është në kuadër të strategjisë së PR-it që e bëjnë si subjekt politik”, tha Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

LSDM-ja fton opozitën të heqë dorë nga kjo mënyrë e sjelljes dhe të punojë bashkë me pushtetin për tejkalimin e krizës.

“Është e qartë se kjo është edhe një përpjekje për të bërë teatër, për rritjen e tensioneve në Kuvend sepse atë që e kishin si synim, bllokimi aktiv, nuk ishte i suksesshëm. Ua shihni sjelljen në seancat plenare. Tek ata rritet nervozizmi dhe fokusin do ta drejtojnë te Xhaferi. Duan të krijojnë përsëri perceptimin se Kuvendi është jofunksional”, u shpreh Jovan Mitreski, LSDM.

Rregullorja parashikon afate për vendosjen e interpelancës në rend dite. Subjekti për të cilin është interpelanca ka afat 15 ditë për të dorëzuar përgjigje me shkrim ndaj saj. Interpelanca vendoset në rend ditë në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, pas kalimit të 15 ditëve nga dorëzimi i përgjigjes tek deputetët. /Alsat.mk