Bullgaria do të shkruajë në dokument detyrimet e të gjitha institucioneve vendase, sa i takon procesit të dialogut me Maqedoninë e Veriut.
Kjo, do të jetë ndër detyrat e para të Ministrisë së Jashtme bullgare nën drejtimin e ministrit të ri të përkohshëm Nikollaj Millkov.
Ai, para mediave, u shpreh i vetëdijshëm se në Shkup nuk ka konsensus politik në dialogun me Sofjen ndërkohë që tha se synimi i tyre është që për partner të kenë shtetin dhe jo partitë politike.
“Do të duhet të bëjmë një dokument të shkruar i cili do t’i definojë detyrat e institucioneve të ndryshme, organizatave në raport me atë që duhet të bëhet në të ardhmen në raportet tona me Maqedoninë e Veriut, për t’u arritur qasje sistematike, qartë të shkruhen detyrimet dhe përgjegjësitë që të mund të priten edhe rezultatet. Shpresoj se do të ketë procedura për konsolidimin edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut për atë që mund të bëjmë në kuptimin pozitiv, sepse për fat të keq edhe po të kemi konsensus për Maqedoninë e veriut, konsensusi nuk është i dukshëm atje”, tha Nikollaj Millkov, ministër i Jashtëm i përkohshëm.
Zëvendëse e Millkovit në qeverinë e përkohshme në Sofje mbetet Velisllava Petrova e cila ishte në po të njëjtën pozitë edhe në kohën e ministres Teodora Gençovska. Millkov u shpreh i kënaqur me punën e qeverisë së kaluar bullgare në fushën e diplomacisë.
Vendi fqinj do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 2 tetor për shkak se qeveria politike e kryeministrit Kirill Petkov ra pas mocionit të mosbesimit në të cilin kishte rol edhe dialogu me Maqedoninë e Veriut. Qeveria e përkohshme për momentin drejtohet nga ish ministri punës Gallab Donev. / Alsat.mk