Foltorja e Kuvendit u bllokua nga deputetja e Lidhjes së Shqiptarëve, Ilire Dauti, së cilës më pas iu bashkua edhe kreu i partisë, Ziadin Sela. Dauti kishte kërkuar më herët që seanca për pyetje parlamentare të ndërpritej, pasi, sipas saj, Qeveria nuk i kishte dërguar përgjigje me shkrim lidhur me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Të lidhura
None found
“Unë kërkoj, në emër të të gjithë deputetëve, që kjo seancë të ndërpritet, sepse nuk ka kuptim të vazhdohet me pyetjet e tjera. Nuk do të largohem sot nga kjo foltore derisa të marr përgjigje për pyetjen që e parashtrova herën e kaluar dhe për të cilën kryeministri duhej të përgjigjej. Ose dilni këtu dhe jepni përgjigje, ose kjo seancë nuk do të vazhdojë”, deklaroi Ilire Dauti.
Për të qetësuar situatën, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, caktoi fillimisht një ndërprerje prej gjysmë ore. Meqë tensionet nuk u zbutën, ai shpalli më pas edhe një pauzë tjetër njëorëshe.
Në takimin e sotëm me gazetarët, para zhvillimeve në seancë, Gashi kishte folur për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë. Ai pranoi se teksti ligjor mund të ketë mangësi, por theksoi se është më mirë të ketë një ligj sesa të mos ketë fare. Kryeparlamentari bëri të ditur se do ta procedojë ligjin kur të çmojë se ka ardhur koha e duhur.
“Do ta shfrytëzoj të drejtën time për të vlerësuar dhe vendosur se kur është momenti më i përshtatshëm që ky ligj të hidhet në votim. Dua që qytetarët dhe opozita ta dinë se nuk planifikojmë ta miratojmë fshehurazi. Seanca do të thirret, të gjithë deputetët do të ftohen dhe vendimin do ta marrë seanca plenare. Detyra ime është të vendos se kur është momenti më i mirë për vendimmarrje, ndërsa më pas të gjithë do ta respektojmë vendimin e Kuvendit”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Opozita shqiptare kishte akuzuar më herët Gashin se po e mbante peng Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, me synimin që ta nxirrte në votim në një moment kur deputetët opozitarë të mos ndodheshin në seancë. Duke pasur vërejtje ndaj këtij ligji, opozita e kundërshton atë.
