Në Kërçovë, kazinotë, bastoret dhe zyrat për kredi të shpejta shfaqen pothuajse në çdo 200 metra. Sipas ligjit të ri, kazinotë dhe bastoret që disponojnë aparate elektronike për lojëra fati duhet të jenë të vendosura të paktën 500 metra larg institucioneve arsimore.
Të lidhura
None found
Megjithatë, në qytet disa prej këtyre bizneseve ndodhen vetëm 90 metra larg gjimnazeve “Drita” dhe “Mirko Milevski”, ndërsa të tjera janë gjithashtu brenda distancës së ndaluar prej 500 metrash. Për më tepër, ato kanë vendosur reklama të mëdha që bien në sy të të rinjve. E njëjta gjendje vërehet edhe në afërsi të disa shkollave fillore. Edhe pse ligji ka ndryshuar, në Kërçovë situata nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
“Jemi përballë Gjimnazit të Kërçovës “Drita” dhe “Mirko Milevski”. Nxënësit, sapo dalin nga këto objekte, përballen me pamjen që ndodhet pas meje, vetëm 90 metra larg gjimnazeve. Në këtë godinë funksionojnë zyra për kredi të shpejta dhe bastore: në katin përdhes ndodhen bastoret, ndërsa në katet e sipërme janë kreditë e shpejta. Kur nxënësit dalin për të blerë ushqim apo diçka tjetër, reklamat e këtyre bizneseve u shfaqen përballë, edhe pse ligji përcakton qartë se bastoret duhet të jenë 500 metra larg objekteve shkollore. Në Kërçovë, ato vazhdojnë të veprojnë pa pengesë”, raporton gazetarja e TV21, Salije Sadiuku.
Gjatë vizitës së tij në Kërçovë, disa javë më parë, ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, deklaroi se prania e kazinove dhe bastoreve pranë shkollave është problem i përhapur në të gjithë vendin. Sipas tij, fondet e BE-së të vëna në dispozicion të qeverisë përmes agjendës reformuese mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje.
“Mendoj se çështja që ngritët kërkon një angazhim kolektiv, pasi nuk është problem që kufizohet vetëm në Kërçovë. Fondet që i japim qeverisë dhe ato që janë në dispozicion përmes agjendës reformuese mund të shfrytëzohen për të gjetur një zgjidhje”, tha Mihalis Rokas, ambasador i BE-së në RMV.
Sipas të dhënave jozyrtare, në Kërçovë janë të regjistruara mbi 20 kazino dhe bastore me aparate elektronike, por numri real mund të jetë edhe më i madh. Në këtë qytet, një kazino ose bastore mund të haset pothuajse çdo 200 metra. /tv21
