Incidenti me presidenten Osmani, reagon ashpër Ahmeti: Veprim skandaloz nga ata që s’kanë turp të shkelin mbi popullin e vet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka reaguar pas incidentit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ahmeti shkruan se dënon veprimin skandaloz ndaj presidentes Osmani, teksa shton se vazalët shkelin mbi popullin e vet me këto veprime që janë për turp.

“E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t’i falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë.

Kur nuk kanë turp të shkelin mbi popullin e vet, mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në zgjedhje e të vihen në shërbim vasal e servil të tjetër kujt duke na sjell Putinin e Vuçiçin në Qeveri, atëherë si pyet askush për asgjë dhe na turpërojnë çdo ditë, nga disa herë me rradhë”, tha ai./Klan Macedonia


Shtuar 2.08.2024 18:22