Pas takimit të partive politike në Kuvend për Kodin Zgjedhor, koordinatorja e grupit parlamentar të “Frontit Europian” dhe deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, deklaroi për mediat se BDI vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim: vendi duhet të ketë një njësi zgjedhore, me lista të hapura për deputetët dhe me një prag zgjedhor prej 5 përqind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve.
Të lidhura
None found
Ajdari nënvizoi se çdo ndërhyrje në Kodin Zgjedhor duhet të kalojë me konsensus ndëretnik dhe ndërpartiak.
Ajo bëri të ditur me keqardhje se bisedimet e zhvilluara sot për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nuk patën sukses. Sipas saj, dështimi nuk erdhi për shkak të të gjithëve, por si pasojë e tërheqjes së disa partive politike nga pozicionet për të cilat më herët ishte arritur marrëveshje. Ajdari tha se BDI ka qenë aktive dhe konstruktive në grupin e punës për muaj të tërë. Ajo shtoi se për çështjet kryesore ishte arritur kompromis, ndërsa për disa tema të tjera nuk kishte marrëveshje. Megjithatë, propozimi i harmonizuar ishte dorëzuar në Kuvend dhe BDI e kishte nënshkruar atë pikërisht në variantin për të cilin ishte rënë dakord në kuadër të grupit të punës.
Sipas Ajdarit, pasi propozimi mbërriti në Kuvend, OBRM-PDUKM u tërhoq nga dy elemente thelbësore të marrëveshjes. E para kishte të bënte me votimin elektronik të diasporës, për të cilin kjo parti kërkoi që të realizohej me postë. E dyta lidhej me marrëveshjen që rregulloret e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të lidhura me votimin elektronik të diasporës, të miratoheshin me konsensus, ndërsa OBRM-PDUKM kërkoi që ato të kalonin me shumicë votash, tha ajo.
Ajdari tha se për BDI-në kjo është e papranueshme, pasi sipas saj krijon hapësirë për inxhinieri politike dhe mbivotim, një situatë që, siç u shpreh ajo, ndodhi edhe në vitin 2024, kur anëtarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Ditmire Shehu, ishte mbivotuar nga përfaqësuesit e OBRM-PDUKM-së, LSDM-së dhe VLEN-it./Telegrafi/
