Qyteti i Shkupit do të japë 1.200.000 denarë si mbështetje financiare për përballimin e pasojave të tërmetit në Venezuelë, bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski.
Të lidhura
None found
Gjorgievski theksoi se Shkupi e njeh shumë mirë dhimbjen që lë pas një tërmet shkatërrues, pasi një plagë e tillë mbetet thellë e ngulitur në historinë e qytetit.
Sipas tij, pikërisht nga kjo përvojë vjen edhe mesazhi më i fortë: në çastet më të rënda, njerëzimi duhet të dëgjohet më shumë se kurrë. Ai kujtoi se pas tërmetit katastrofik të vitit 1963, Shkupi nuk mbeti i vetëm, pasi ndihma erdhi nga e gjithë bota dhe njerëz nga kontinente të ndryshme kontribuuan që qyteti të ngrihej sërish nga rrënojat.
Mes vendeve të para që i dolën në krah Shkupit me ndihmë dhe solidaritet, shtoi ai, ishte edhe Venezuela, një mbështetje që qyteti nuk e ka harruar.
Për këtë arsye, tani që populli i Venezuelës po përballet me pasojat e tërmetit, Qyteti i Shkupit po reagon me humanizëm, respekt dhe mbështetje, u shpreh Gjorgievski.
Ai përcolli gjithashtu ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u uroi shërim sa më të shpejtë.
“Mendimet tona janë me të gjithë qytetarët që po kalojnë këto momente të vështira. Shkupi u ndërtua nga solidariteti i botës, ndër të cilët ishte edhe Venezuela. Kjo është arsyeja pse Shkupi është një qytet botëror sot”, shkroi Gjorgjievski./Telegrafi/
