Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi sot është takuar me kryetarin e LSDM-së dhe mandatarin për formimin e Qeverisë së re Dimitar Kovaçevski, transmeton TV21. Këtë informacion e ka bërë të ditur kreu i Alternativës Afrim Gashi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se me Kovaçevskin kanë biseduar për planin qeveritar.
“Sot, së bashku me nënkryetaren Safije Sadiki – Shaini ishim në takim në selinë e LSDM-së, ku na priti kryetari i ri, Dimitar Kovaçevski.
Duke ia uruar detyrën e re kryetarit të posazgjedhur të socialdemokratëve, z. Kovaçevski, mes tjerash folëm edhe për të ardhmen e shtetit dhe planin qeveritar për shtet me orientim europian dhe progresiv. Alternativa, si pjesë e qeverisë së re, do të jetë e përkushtuar në avancimin e shtetit drejt familjes europiane dhe ndërtimin e shtetit progresiv”, ka shkruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.