Menjëherë apo gradualisht? Ekspertët tregojnë cila është mënyra më e mirë për të lënë duhanin?

Personat që heqin dorë menjëherë nga duhanpirja do ta largojnë me më shumë sukses këtë ves, se sa ata që e lënë atë gradualisht. Ky është rezultati i një studimi britanik.

“Për shumë duhanpirës reduktimi gradual i numrit të cigareve të thithura deri në lënien totale është mënyra më e mirë për ta hequr këtë shprehi të keqe”, – tha autorja e studimit Nicola Lindson-Hawley nga Universiteti i Oksfordit.

“Megjithatë, në këtë rast, ne i këshillojmë njerëzit që ta lënë duhanin në mënyrë të menjëhershme. Një studim i kryer nga ne ka treguar se shumë njerëz arrijnë ta lënë duhanin përgjithmonë nëse ai ndërpritet përnjëherë”, – shtoi ajo.

Hulumtuesit i ndanë në mënyrë rastësore 700 duhanpirës në dy grupe: grupin ku nga subjektet u kërkua ta ndalojnë pirjen e duhanit në mënyrë të përnjëhershme dhe grupin ku vullnetarët e reduktuan gradualisht numrin e cigareve në zero. Të dy grupet kishin ndihmesa, si fllasterë apo çamçakëzë me nikotinë.

Katër javë pas lënies, në grupin e atyre që e lanë përnjëherë duhanin 49 për qind prej tyre ende nuk pinin duhan, ndërsa në grupin e abstenuesve ishin 40 për qind të jo-duhanpirësve.

Pas gjysmë viti, nga grupi i parë ende abstenonin 22 për qind, ndërsa nga grupi i dytë 15 për qind të pjesëmarrësve në hulumtim.

“Kjo është një dëshmi e mirë se mënyra më efektive për ta lënë duhanin me sukses është lënia e përnjëhershme së bashku me terapinë e zëvendësuesve të nikotinës”, tha Lindson-Hawley.


Shtuar 18.08.2022 08:57