‘Kemi bërë dikur dasma, zanat për aheng!’. Artistët e rrugës: Na ushqen me bukë

Ibrahimi, Hamdiu dhe Shyqyriu janë tre artistët e rrugës më të famshëm në kryeqytet. Teksa kaloni në afërsi të sheshit Skënderbej, është e pamundur të mos dëgjoni tingujt e muzikës së Shqipërisë së mesme, të performuara nga këta veteranë të folklorit shqiptar. Për “Abc e Pasdites”, instrumentistët rrëfyen fillimet e karrierës së tyre.

“Ne jemi rritur në një lagje dhe kemi mësuar veglat. Me punë me halle, me probleme familjare kemi mësuar zanatin. Kemi punuar me dasma që në kohën e Enver Hoxhës. Kemi kaluar mirë dhe kalojmë mirë prapë. Ne kemi një harmoni një dashuri njerëzore…” – shpreh Ibrahimi.

“Ne gjithë jetën kemi gëzuar popullin. Muzika është ushqimi i shpirtit.” – tha për Abc News Albania Shyqyriu.

Por ndonëse veglat e tyre muzikore gëzojnë çdo kalimtar, për ta është një punë e detyruar në mungesë të një mundësie më të mirë. Situata ekonomike është vështirësuar për këta artistë, të cilat bën forcat bashkë dhe vendosën të performojnë në rrugë si një formë përfitimi monetar.

“Dalim nga halli fitojmë ndonjë lekë. Jemi mësuar me këto veglat se i kemi mësuar 40 vjet përpara.” – tha Hamdiu.

“Dasma gjëra nuk ka, janë rrallë. Gjithë njerëzia janë fukarenj, sa kanë mundësi na hedhin. Sa të hamë një kafshatë buke. Unë dua dhe 4 vjet të dalë në pension. Nuk pres, deri katër vjet, kam një copë karroce. Do dal të ha bukë.” – na shpjegon Ibrahimi, më i vjetri i grupit i cili ka 50 vite që performon me instrumentin e dajres.


Shtuar 4.10.2021 18:49