Ata që kanë konsumuar meme rreth pandemisë, janë ndjerë më të sigurt në aftësinë e tyre për të përballuar një krizë globale shëndetësore.
Lajme të mira! Gjithë ato orë të çuara ‘dëm’ duke lundruar shpenguar e qeshur me meme gazmore gjatë 20 muajve të fundit, mund të kenë patur një ndikim pozitiv në shëndetin dhe mirëqënien tuaj, shkruan EuroNews.
Një studim i fundit i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë ka zbuluar se memet i kanë ndihmuar amerikanët të përballojnë më mirë stresin gjatë pandemisë, duke vënë në dukje se ato i kanë bërë njerëzit të ndjehen më të “qetë” dhe të “vetë-mjaftuar”.
Madje në veçanti, ata që kanë konsumuar meme rreth pandemisë, janë ndjerë më të sigurt në aftësinë e tyre për të përballuar një krizë globale shëndetësore.
Por çfarë janë memet?
Një meme vjen zakonisht në formën e një fotoje apo video-je, edhe pse shpesh mund të qëndrojë thjesht si tekst. Kur një meme rezonon me shumë njerëz, pra i thotë atyre diçka, atëherë ata e ndajnë atë me njëri tjetrin duke e shpërndarë në masë, me anë të rrjeteve sociale si Twitter, Facebook, Instagram, WhatsApp etj.
Në të njëjtën kohë, memet janë një grup idesh, besimesh apo sjelljesh të riprodhuara nga bota e internetit dhe medias. Memet janë ‘ngjitëse’ por nuk është se kanë ndonjë qëllim praktik. Shumë njerëz i shohin ato si një mjet mbrojtës ndaj presionit të shoqërisë.
Autorja, Jessica Myrick i tha Washington Post se njerëzit i kanë përdorur memet si një urë lidhëse dhe mënyrë komunikimi me njerëzit që ata nuk mund t’i takonin personalisht gjatë pandemisë.
“Për arsye se jemi të izoluar dhe kur shohim një meme rreth COVID-19, e cila reflekton eksperiencën tonë të përbashkët, kjo ka një ndikim vërtëtë të fuqishëm pasi në këtë periudhë pa ndërveprim real inter-personal, gjendet diçka që të ndihmon të kuptosh se nuk je vetëm dhe se të tjerët po kalojnë të njejtën gjë, bashkë me ty.” – thotë Myrick.
Dhe kjo karakteristikë në fakt nuk është prezente vetëm gjatë pandemisë por ajo mund të evidentohet lehtësisht në shumë situata ku me anë të memeve, njerëzit kuptohen me njëritjetrin duke interpretuar situata të ndryshme që shihen në të njejtën dritë nga ndërgjegjia jonë kolektive.
Edhe pse kjo është një temë më e gjerë se sa një studim i vetëm, sipas Washington Post, ky është një lajm vërtetë i mirë për përdoruesit e platformave online, pasi nëse efekti i automatizuar i rrjeteve sociale si Facebook apo Instagram, është provuar të ketë efekte negative në trurin tonë si dhe ndikim shkatërrues në vetëbesimin e moshave të reja, të paktën mund të gëzohemi disi teksa mësojmë se memet po na ndihmojë të qëndrojmë të pozitiv dhe të paqtë.