9 detaje të gabuara që bëjnë të duket keq edhe veshjen më të shtrenjtë

E dini mirë që bukuria qëndron tek detajet dhe mungesa e tyre mund të shndërrojë dhe veshjen më të bukur në vulgare brenda 1 sekonde. Prandaj, në vend që të fokusoheni tek rrobat e shtrenjta apo tek trendet e fundit, shmangni gabimet më poshtë, që me shumë gjasa i bëni shpesh.

1. Përgatitjet e minutës së fundit

Përpiquni të planifikoni veshjen tuaj një natë më parë, kjo do t’ju kursejë kohë dhe do t’i minimizojë shanset për të gabuar.

 2. Kur nuk visheni sipas motit

Nëse dridheni dhe strukeni nga të ftohtit nuk do të dukeni kurrë bukur. Apo kur djersini në mes të vapës se e keni shumë të vështirë të hiqni dorë nga xhaketa juaj e preferuar e lëkurës. Ndani veshjet në garderobën tuaj në rroba të trasha dhe të holla. Gjithçka që nuk i përshtatet motit, duhet të jetë jashtë rrezes tuaj të shikimit.

3. Veshja e papërshtatshme për vendin

Të ecesh me taka në rrugë të prishura apo të shfaqesh në punë me një fustan të përshtatshëm për një koktejl nuk do t’ju bëjë më interesante, pavarësisht çmimit dhe markës së tyre. Nuk do të ndiheni mirë dhe kjo do t’ju penalizojë t’i bëni një prezantim më të denjë veshjes tuaj në një rast tjetër.

4. Nuk visheni në proporcion me trupin tuaj.

Eshtë e rëndësishme të njohësh trupin para se të përcaktosh stilin që do të ndjekësh. Mos u rrëmbeni nga uljet për të blerë një fustan që rri pak më i ngushtë se ç’duhet, me shpresën se do t’i rrëzoni kilet e tepërta, apo një bluzë të gjërë që do të duket sikur e keni vjedhur nga garderoba e të dashurit.

5. Detajet e vogla

Një këmishë pak e shqepur, një fije e dalë, apo një fustan i pahekurosur mirë, duhet të jeni të kujdesshëm me këto detaje. Mbani me vete një portofol emergjence, një gjilpërë, një rrotë peri apo një paramandë që do t’ju nxjerrë nga çdo situatë.

6. Mungesa e aksesorëve

Mund të dukeni shumë ‘chic’ me një palë xhinse dhe një pulovër, por ndonjëherë duhet t’i shtoni look-ut tuaj disa aksesorë. Një shall, një rrip ose bizhuteri.

7. Materialet cilësore

Copat sintetike janë të lira dhe duken të lira. Rrudhosen dhe bëhen pis shumë shpejt. Ju këshillojmë të perdorni materiale të cilësisë së lartë, pambuk, mëndafsh, lesh, xhins. Jo vetëm do të dukeni më bukur, por do të ndiheni shumë rehat!

 8. Printet e çuditshme

Edhe printi i famshëm i leopardit mund të duket fisnik dhe t’ju japë egërsinë që dëshironi në një rast, por rrezikon t’ju tregojë vulgarë një herë tjetër. Nëse nuk jeni shumë të sigurt në kombinimet me këto printe, luani sigurt dhe zgjidhni ato klasike, vijat, pikat ose dizajnet gjeometrike.

9. Zgjedhja e gabuar e të brendshmeve

Mund të mendoni se janë të parëndësishme, sepse askush nuk i sheh, por gaboni! Ndjesia që merrni nga të brendshmet që përdorni kanë rëndësi së pari për rehatinë tuaj. Dhe nëse ju nuk ndiheni rehat, këtë e përçoni edhe tek ata që ju shohin.

Shtuar 19.07.2021 14:18