Banorët e lagjes Pepaj, në fshatin Gojan të Pukës, po përballen me një situatë të rrezikshme, pasi zjarri me përmasa të mëdha ka dalë jashtë kontrollit dhe po kërcënon banesat dhe jetën e tyre.
Autoritetet kanë nisur evakuimin e banorëve, të cilët janë sistemuar përkohësisht pranë shkollës së Gojanit të Madh. Në përpjekje për të shpëtuar pasurinë, disa prej tyre kanë nxjerrë orenditë shtëpiake nga banesat, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.
Të lidhura
None found
Operacioni po zhvillohet në kushte të vështira nga ekipet zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura. Për situatën është shtuar shqetësimi edhe për shkak të shpërthimeve të njëpasnjëshme të municioneve të vjetra ushtarake në zonën e përfshirë nga zjarri.
Si pasojë, të paktën 5 banesa në lagjen Pepaj ndodhen nën kërcënim të drejtpërdrejtë. E gjithë zona është mbuluar nga re të dendura tymi, ndërsa dyshohet se një prej banesave mund të jetë përfshirë tashmë nga flakët.
