Zjarri i shkrumboi ullishtën, banorët në Kurbin kërkojnë dëmshpërblim

Zjarri në  Zhejë të Kurbinit ka shkaktuar dëme të mëdha, ku rreth 7 mijë rrënjë ullinj janë shkrumbuar tërësisht.

Banorët janë shprehur se janë përpjekur vetë për të fikur zjarrin dhe nuk u ndihmuan nga zjarrfikësit. Edhe pse kanë kaluar 4 ditë nga fikja e zjarrit, asnjë specialist nga bashkia nuk ka shkuar të verifikojë dëmet, ndërsa banorët kërkojnë që të dëmshpërblehen.

“Më erdhën banorët e fshatarët të më ndihmonin për ta fik. Nuk më erdhi asnjë zjarrfikës të më ndihmonin. Bëmë vetëm 7 orë luftë me flakët. Zjarrfikësit nuk u afruan fare këtu, rruga ishte dhe e nxinte zjarrfikësen po nuk hynë. Më janë djeg disa rrënjë ullinj mbi 50 vjeçar. Të ishte më vigjilent shteti s’mund të them që s’do digjej fare po do kish shpëtuar 70%”-është shprehur njëri nga fermerët.

“Dëmet janë të mëdha këtu kemi punuar kemi thyer këmbët. S’ka ardhur askush. Zjarrfikëset erdhën kur mbaruam punë vetë”, shprehet një banore.

Zjarri në fshatin Zhejë të Kurbinit u shkaktua nga pakujdesia, teksa një banore po digjte disa shkurre në token e saj dhe flakët dolën jashtë kontrollit. Kjo e fundit është proceduar nga policia.


Shtuar 27.07.2021 17:50