Ministria e Mbrojtjes raportoi këtë të martë në mbrëmje situatën më të fundit të zjarreve në territor. Sipas njoftimit, menaxhimi i vatrave po vijon me angazhim të shtuar të strukturave operacionale në terren dhe me mbështetje nga ajri.
Gjatë ditës janë evidentuar 22 vatra zjarri në rang vendi. Prej tyre, 12 janë aktive, 9 mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa 1 vatër është shuar. Në operacione marrin pjesë 498 forca vendore dhe lokale, si dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga mjete zjarrfikëse, mjete të tjera operacionale, autoambulanca, një dron dhe 4 operacione me helikopterë.
Të lidhura
None found
Në Malin e Dajtit, zjarri vijon të jetë aktiv në një zonë të mbuluar me pyll ahu dhe shkurre. Për shuarjen e tij janë angazhuar 25 efektivë zjarrfikës, 7 forca të ADM-së dhe 55 efektivë të FA, së bashku me 5 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 helikopter. Sipas autoriteteve, zonat e banuara nuk janë në rrezik. Zjarri në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa vatra në Malin e Bërzhitës është izoluar dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Aktive janë gjithashtu vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre-Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë-Mali i Allushit në Klos. Në Lundre-Madhesh, krahas forcave vendore, pyjore dhe vullnetare, në terren janë angazhuar 22 efektivë të FA, 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat; konkretisht, në Lundre-Madhesh zjarri ndodhet në lartësi dhe largësi të konsiderueshme nga zonat e banuara.
Vijojnë aktive edhe vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në aksin Kalivaç-Zimaj-Kashnjet të Bashkisë Lezhë. Terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen në Gallatë, por banesat nuk kërcënohen. Në Kalivaç-Zimaj-Kashnjet operacioni përfshin 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të FA, 16 mjete, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter. Edhe në këtë zonë nuk ka raportime për rrezik ndaj zonave të banuara.
Vatra në Malin e Qukësit, në Prrenjas, është nën vëzhgim dhe po monitorohet nga MZSH. Ndërkohë, zjarri në Gurëshpatë të Librazhdit mbetet aktiv. Në këtë operacion marrin pjesë MZSH Librazhd, 1 automjet dhe 6 efektivë. Edhe këtu nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Fushë-Arrëz, vatra mbi Ludric dhe Shopel është nën mbikëqyrje. Në Mnelë të Vogël të Vaut të Dejës zjarri është ende aktiv. Për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat vendore, 27 efektivë të FA, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter.
Në Bardhaj-Myselim po vijojnë ndërhyrjet e forcave të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë dhe vullnetarëve, me mbështetjen e 43 efektivëve të FA dhe mjeteve. Sipas raportimit, banesat nuk janë në rrezik. Vatra në Bërdicë vijon të jetë nën monitorim.
Në Malin e Tërbunit, në Pukë, zjarri është aktiv në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në terren ndodhen forcat vendore dhe 32 efektivë të FA, të pajisur me 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Vatra në Bolenë të Himarës po mbahet nën mbikëqyrje nga MZSH Himarë. Në Qesarat të Finiqit, zjarri i shfaqur gjatë ditës në një sipërfaqe me shkurre vijon aktiv. Në operacion është angazhuar MZSH Finiq dhe është realizuar edhe ndërhyrje me 1 helikopter.
Vatrat në Peshtan të Fierit dhe Çërrilë të Mallakastrës kanë kaluar në fazën e mbikëqyrjes. Strukturat zjarrfikëse po i kontrollojnë në terren për të shmangur riaktivizimin e tyre.
Në Halil të Krujës, zjarri që ishte shfaqur pranë banesave është izoluar dhe shuar. Megjithatë, MZSH Krujë vijon ta mbajë zonën nën monitorim.
Vatra në Mamëz, në njësinë administrative Kolsh, e shfaqur gjatë ditës në një zonë me shkurre dhe pisha, është nën mbikëqyrje. Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek pa ndërprerje zhvillimet në të gjithë vendin, në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku kërkohet. Prioriteti i tyre është garantimi i sigurisë së jetës, mbrojtja e banesave dhe ruajtja e pasurisë së qytetarëve.
