Zbulohen edhe pesë raste të tjera të Omicron në Itali

Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve italiane, pesë shtetas të tjerë të vendit kanë rezultuar pozitivë me variantin Omicron të koronavirusit. Gjithsej janë nëntë raste deri më tani.

Ata janë tre fëmijë, një mësuese dhe një ndihmëse shtëpiake, të cilët jetojnë në Caserta, jashtë Napolit.

Sipas mediave italiane, ata janë infektuar nga dy fëmijët e menaxherit të kthyer nga Mozambiku dy javë më parë dhe që konsiderohet “pacienti zero” i këtij varianti në Itali . Megjithatë, të gjithë kanë simptoma të lehta dhe gjendja e tyre nuk është shkak për shqetësim.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit e Italisë ka vendosur që tani e tutje, sapo të regjistrohet një rast me koronavirus në një klasë , të gjithë nxënësit do të kthehen në shtëpi, në mësim në distancë, për të paktën dhjetë ditë. Deri më tani, aktivizimi i mësimit në distancë kërkonte të paktën tre raste pozitive në secilën klasë.

I dërguari i posaçëm italian për pandeminë, gjenerali Francesco Filiuolo, njoftoi se qëllimi i ri për muajin dhjetor është të jetë në gjendje të administrojë të paktën 400,000 vaksina kundër Covid-19 çdo ditë./albeu.com


Shtuar 30.11.2021 16:12

Tags: ,