Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë një tjetër takim, në Ohër të Mqedonisë së Veriut, që vjen pas atij në Bruksel ku dy shtetet janë pajtuar për planin franko-gjerman.
Zyra e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur agjendën e takimeve që do të fillojnë nga ora 10:00.
Në Ohër do të jetë i pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.
Borell dhe Lajcak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiçin e që më pas do të pasohet me një takim të nivelit të lartë trepalësh.
Siç ka njoftuar zyra e BE-së, takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit të Implementimit të Marrëveshjes që çon në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë.
Plani nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
Ai përfshinë po ashtu kërkesën për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e mprehtë e bisedimeve.
Diplomatët perëndimorë shfaqin shpresën për përparim në takimin e së shtunës, ndërsa analistët thonë se duhet optimizëm i matur.
Plani evropian gjithashtu parasheh që palët të mos e pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, të cilat kushtëzohen pikërisht më normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre./albeu.com