Zbardhen të plota propozimet e Ukrainës në bisedimet me palën ruse në Turqi

Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Këto propozime janë prezantuar gjatë bisedimeve me Rusinë që u mbajtën të martën në Turqi, që nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohej NATO-s apo që në bazat e saj do të vendoste ushtarë të aleancës së NATO-s, thanë negociatorët ukrainas.

Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë, thanë negociatorët për gazetarët në Stamboll.

Propozimet janë më të detajuarat dhe më konkretet që Ukraina i ka paraqitur publikisht.

Ato gjithashtu parashikojnë garanci të sigurinë në linjë me artikullin 5 të NATO-s, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm për këto propozime.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm”, tha negociatori Oleksander Chaly.

“Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha ai për televizionin kombëtar ukrainas.

“Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.

Sipas negociatorëve ukrainas, këto propozime janë të mjaftueshme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai rus, Vladimir Putin, të takohen. Por, pala ukrainase tha se për këtë temë po pret përgjigjen e palës ruse.

Gjatë takimit në Stamboll, Ukraina kërkoi një marrëveshje armëpushimi, që nuk do të komprometonte territorin as sovranitetin e vendit.

Ndërkaq, Turqia, si nikoqire e këtij takimi, tha se bisedimet në Stamboll shënojnë përparimin më të rëndësishëm në procesin e paqes deri më tani, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. /REL

 

Shtuar 29.03.2022 15:10