Një grup serbësh, anëtarë të Shoqatës së Banorëve të Planjanës afër Prizrenit, sot janë ndjekur nga një makinë e cila i ka bllokuar rrugën dhe më pas shoferi shqiptar ka zbritur dhe i ka kërcënuar.
Sipas mediave serbe, e gjithë ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm ku një grup serbësh po shkonin në një udhëtim me qëllim që të vizitonin Patriarkanën e Pejës dhe në mesin e pasagjerëve ka qenë edhe një fëmijë. Udhërrëfyesi Slavica Josifovic ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur kur një shqiptar ka zbritur nga një makinë me targa vendore dhe ka kërcënuar serbët në gjuhën shqipe që po vizitonin faltoren serbe.
“Në hyrje të Pejës, rreth orës 09:40, një veturë na preu rrugën, sikur donte ta godisnim, ngadalësoi shpejtësinë, por shoferi i autobusit nuk e përfilli. Më pas hapi xhamin e makinës dhe kërcënoi në shqip, megjithëse nuk e kuptuam, e kuptuam se për çfarë fliste. Pas kësaj, ai e parkoi makinën para autobusit, nuk mund ta rrotullonim, sepse kishte makina që vinin nga ana e kundërt. Ai doli, mori flamurin e Kosovës dhe e vendosi në pjesën e përparme të autobusit, kërcënoi se nuk duhet ta heqim dhe fotografoi autobusin me targa të Beogradit”, tha Josifovic.
Ajo ka shtuar se rasti është raportuar menjëherë në polici dhe si udhëheqëse e udhëtimit ka kërkuar shoqërim në Patriarkanën e Pejës dhe të Priluzhës. Si ajo si shoferi kanë dhënë deklaratat përkatëse në polici dhe ngjarja është nën hetim.