Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka pranuar edhe njëherë se e ka parë kornizën e re të dialogut për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka publikuar të dielën
“A e di çfarë është përmbajtja, sigurisht që e di”, thotë Vuçiç, raportojnë mediat serbe.
“Prandaj dje kanë marrë një mesazh të rëndësishëm për këtë. Serbia nuk do të lejojë Kosovën në OKB derisa unë jam president”.
“Ne duam një zgjidhje kompromisi dhe marrëdhënie të mira, sigurisht që duam. Por, së pari le të shohim të drejtat e serbëve, çfarë marrim, si respektohet Rezoluta 1244. Unë kam frikë se nuk është plotësisht realiste”, shton kreu i shtetit serb.
I pyetur nëse pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën do të dorëzoheshin nga presioni i Brukselit, ai theksoi se “për disa jam i sigurt se nuk do të dorëzohen”.
“Disa mund të dorëzohen, por ata janë ende miqtë tanë të mëdhenj”, tregoi ai.
Vuçiç po ashtu ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se Serbia është aleate e Rusisë.
Sipas tij – Kurti “dëshiron që gjatë gjithë kohës të luajë Zelenskyn, duke llogaritur se Perëndimi është një fitues i sigurt dhe ai dëshiron të vendoset në maje të tyre”.
Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz
Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.
Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.
“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.
Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.
Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.
Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.
Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim. /Express