Vritet gruaja e ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit

Mbrëmjen e djeshme, 29 nëntor, Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda pak orësh. Liridona Murseli, bashkëshortja e ish-këshilltarit të presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave që u dëgjuan në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Familja Murseli dyshohet se u përball fillimisht me disa grabitës, të cilët ua grabitën sendet me vlerë dhe më pas qëlluan me armë, duke lënë të vdekur 33-vjeçaren. Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashëm kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.

Ndërsa në rrugën “Ali Vitia”, 52-vjeçari, Ali Kosova, dyshohet se u vra me thikë nga dhëndri i tij 29-vjeçar, Edon Bujupi, i cili ndodhet në arrati.

Sinjali raportoi rrëfimin e Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për incidentin që iu ndodhi, ku mbeti e vdekur bashkëshortja e tij.

Sipas informacioneve të para, Murseli ka deklaruar se i ka dëgjuar vetëm krismat dhe asgjë nuk ka parë në momentin kritik, kur dyshohet se ia qëlluan gruan me armë zjarri.

Siç ka deklaruar Murseli para hetuesve policorë, grabitësit fillimisht i kanë kërkuar sendet me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.

Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.

Në bazë të detajeve të reja që janë zbuluar, dyshohet se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që ua kanë zënë pritën me makinë familjes Murseli.

Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por që Policia është në kërkim edhe të një veture BMË me targa të huaja.

Ndërkaq, pas këtij rasti tragjik ku e vrarë mbeti një grua, një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga goditja me thikë po në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitia”.

Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore.

Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për trajtim mjekësor, në QKUK, nga ku njoftuan se personi i lënduar ndërroi jetë.

Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

 


Shtuar 30.11.2023 07:54