Vrau një taksist dhe plagosi disa të tjerë, ekstradohet në Shqipëri Ervin Shahini

I dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje dhe plagosje, Ervin Shahini, është ekstraduar në Shqipëri nga Koreja e Jugut.

50-vjeçari Ervin Shahini alias Spartak Lazaj, 50-vjeç, banues në Tiranë, ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Shahini në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur thika, ka vrarë dhe plagosur disa persona që punonin si taksistë.

Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, ky shtetas i godiste drejtuesit e automjeteve, me thikë, u merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes.

Më datë 15 maj 1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.

Më datë 10 korrik 1995, plagosi me thikë shtetasin S. H.

Më datë 27 tetor 1995, vrau shtetasin Xh. A.

Më datë 27 tetor 1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.

Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, Ervin Shahini është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë.

Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.

Së fundi, është siguruar informacion se ky person strehohej në Republikën e Koresë. Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.


Shtuar 6.04.2024 11:04