Vrau gruan në mes të ditës dhe në sy të policisë, del version zyrtar për ngjarjen në Elbasan

Policia ka dhënë versionin zyrtar për vrasjen e gruas nga bashkëshorti sot në Elbasan.

Ngjarja ka ndodhur pranë Gjykatës, ndërsa janë plagosur edhe dy persona të tjerë.

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës, shtetasi K. B., 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases L. B., 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 

 


Shtuar 6.05.2021 13:29

Tags: